Pas rrëzimit me votimin e parë nga parlamenti, nënkomisioni ad-hoc përsëriti të hënën shortin manual dhe përzgjodhi listën me emrat e 10 kandidatëve jogjyqtarë e joprokurorë për 5 vende në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Për anëtarë të KLGJ u përzgjodhën me short Fatos Lazimi e Fatmira Luli nga avokatia, Maksim Qoku e Mirela Bogdani nga pedagogët, ndërsa kandidatja e shoqërisë civile është Naureda Llagami.
Për anëtarë të KLP kandidatë janë Gëzim Allaraj e Fjoreta Xhimi nga avokatia, Eneida Sema e Genti Ibrahimi nga trupa e pedagogëve, si dhe kandidati Andi Murataj nga shoqëria civile.
Kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja tha se listat me kandidatët do t’i nisen parlamentit për votim në seancën e të enjtes.
As për këtë listë opozita nuk dha mirëkuptim dhe pritet që edhe kjo listë të rrëzohet nga parlamenti.
Opozita e kundërshtoi përsëri listën, duke e cilësuar atë “një çorbë që do të sillte vetëm rrëmujë në drejtësi”.
Deputeti Oerd Bylykbashi tha se ky proces ishte i korruptuar dhe se nga totali i kandidatëve, vetëm një prej tyre plotëson kushtet ligjore.
Opozita është ankuar se midis të kualifikuarve janë edhe dy emra avokatesh, Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, të cilat sipas Autoritetit për Informimin mbi dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, kanë marrë pjesë, e para si gjyqtare dhe e dyta si prokurore në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991.
Po sot para shortit, komisioni përjashtoi nga procesi kandidatin Altin Hazizaj, për shkak të fakteve shtesë për dënime të tij të mëparshme nga drejtësia.
Zoti Hazizaj ka deklaruar më parë se ai nuk ishte njoftuar nga drejtësia dhe as ishte në dijeni që gjykatat e kishin dënuar dy herë me vendim të formës së prerë.
Një kandidat tjetër, Kozma Jano, po verifikohet më në detaje nga Autoriteti për Informimin mbi dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit.
Partia Demokratike publikoi të dhëna se ai ishte bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit, me psudonimin “Telefoni”, por ai i quajti këto të pavërteta.
Nëse lista e sotme do të rrëzohet, procesi rikthehet në nënkomisionin ad hoc.
Ligji parashikon tre raunde votimi me 2/3 për miratimin e kandidatëve në parlament.
Nëse parlamenti nuk miraton për 3 herë rresht listën e paraqitur, kandidatët konsiderohen të zgjedhur.
Facebook Forum