Lidhje

Tregu i ushqimeve organike për fëmijët


Sipas studimeve më të fundit, industria amerikane e ushqimeve për fëmijë vlerësohet të ketë siguruar 53 miliardë dollarë në vitin 2015. Ky treg pritet të arrijë në 75 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2050. Por ushqimi për fëmijë nuk ka ndryshuar shumë në dekadat e fundit, duke nxitur një kompani të vogël në Kaliforni të hyjë në treg me siç thonë drejtuesit e saj, një zgjedhje të re për familjet që punojnë.

Sipas një studimit të organizatës Pew, gati gjysma e të gjithë çifteve të martuara në Shtetet e Bashkuara punojnë me orar të plotë.

Kjo e bën të vështirë rritjen e fëmijëve, dhe koha është një luks që shumë prindër nuk e kanë. Për këtë arsye, kompanitë si Yumi, ofrojnë shërbimin e dërgimit të ushqimeve për fëmijët në shtëpi.

"Nganjëherë është e vështirë për mua të shkoj në dyqan të blej ushqime dhe të gatuaj. Prandaj, them se shërbimi i dërgimit të ushqimeve në shtëpi është një gjetje shumë e mirë. Kjo më jep më shumë kohë për të kaluar me fëmijët e mi, nuk shqetësohem se po u jap fëmijëve ushqime jo të shëndetshme”, - thotë Lisa Lee, nënë që punon me orar të plotë.

Por nuk janë tërheqëse vetëm lehtësirat dhe ushqimi i mirë për shëndetin që këto biznese ofrojnë. Kuzhinat e tyre duken si tregje fermerësh.

Produktet e tyre janë tërësisht organike dhe krijuesit e tyre argumentojnë se ato janë një alternativë unike në ushqyerjen e foshnjeve.

"Një nga risitë e mëdha që ka sjellë teknologjia është shfrytëzimi i hapësirave që në të kaluarën ka qenë e pamundur të shfrytëzoheshin. Në industrinë e ushqimit për fëmijë nuk ka patur ndryshime thelbësore në disa dekada. Ne vendosëm të hynim në këtë industri për ta ndryshuar atë. Pra, ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si ofrohet ushqimi i fëmijëve dhe si e shohin njerëzit ushqyerjen e foshnjeve ", - thotë Angela Sutherland nga kompania "Yumi".

Kompania “Yumi” mbështetet tek ideja se njerëzit paguajnë më shumë për ushqime për foshnjet që janë tërësisht organike dhe të krijuara nga dietologët. Disa studime sugjerojnë se ushqimet organike mund të jetë më e mirë për foshnjet.

"Studimet që kanë krahasuar fëmijët që konsumojnë ushqime organike me ata që hanë ushqime tradicionale tregojnë se ka një prani shumë më të lartë pesticidesh në urinën e atyre që konsumojnë ushqime konvencionale", thotë dietologia Lauren Cornell.

Çdo kavanoz me ushqime për fëmijët që prodhon kompania Yumi kushton mes gjashtë dhe tetë dollarë, përfshirë pagesën për transportin në shtëpi; ushqimet e tjera organike për fëmijë kushtojnë rreth një dollar për kavanoz. Kjo është një alternativë me kosto të lartë, por themeluesit e kompanisë Yumi shpresojnë t'i bindin prindërit se kostoja është e justifikueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG