Lidhje

Kosovë, vazhdojnë hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç


Policia e Kosovës tha se po vazhdojnë hetimet lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, i cili u qëllua një ditë më parë me armë zjarri në veriun e Mitrovicës. Oliver Ivanoviç i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", u qëllua para zyrës së tij në mëngjesin e së martës.

Policia tha se është duke shikuar regjistrimet e kamerave të sigurisë që ishin të vendosura në zyrën e të ndjerit por edhe përreth, në pëprjekje për të ndricuar rastin.

Trupi i të ndjerit tashmë është nisur për në Beograd ku pritet të varroset të enjten. Shumë qytetarë serb të veriut dolën në rrugë për të nderuar politikanin serb, i cili ishte përshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 në Kosovë.

Vrasja e Oliver Ivanoviç ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi ndërsa ngriti shqetësime për rritjen e tensioneve ndër etnike në vend.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara për ndriçimin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ndërsa e dënoi siç tha çdo tendencë që të shfrytëzohet ky rast për agjenda politike. Ai mblodhi të martën mbrëma Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Vrasja e Oliver Ivanoviçit ka parametra të keqpërdorimit politik apo më shumë. Që nga momenti i marrjes së lajmit institucionet e vendit i kanë kryer përgjegjësitë e veta në bazë të ligjit në vendin e ngjarjes. Po ashtu të gjitha institucionet e vendit kanë qenë të mobilizuara. Ne e dënojmë këtë krim dhe njëkohësisht e dënojmë çdo tendencë që të shfrytëzohet ky krim, këtë vepër makabre për agjenda politike dhe agjenda tjera nga kushdo qoftë”, tha pas mbledhjes kryeministri Haradinaj.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë për Zërin e Amerikës se institucionet e vendit duhet të zbardhin rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç sikurse rastet e tjera, që sipas tij pastaj përdoren nga Serbia.

“Nëse politika e Beogradit mendon përmes trazirave e që e ka synim të vazhdueshëm trazirat dhe destabilizimit të Kosovës për të mbajtur peng, atëherë del një protest e cila mund të eskalojë në të dhunshme. Por, mbetet të shihet në ditët në vijim, a do të shkojnë nga mënyra më e butë siç është paralajmëruar vizita e zotit Vuçiç në Kosovë e cila mund të përshkruhet në dy mënyra e cila do të qetësojë gjakrat eventuale në veriun e Kosovës apo mund t’i nxisë eventualisht që të dalin në një protestë. Krejt kjo do të varet nga politika ditore apo e interesave të Beogradit”, tha ai.

Zoti Musliu thotë se nuk mund të ketë trazira të organizuara por sipas tij kjo do të varet edhe nga politika e Beogradit për të përfituar siç thotë në terren apo gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Vlen të përmendët që në veriun e Kosovës kanë ndodhur mbi pesëdhjetë raste të vrasjeve, djegieve të veturave dhe hudhje të bombave por nuk është gjetur kryesi ende. Unë uroj që ky rast të zbardhet sa më shpejt për arsyen e vetme që mos ti jepet ndonjë arsye shtesë politikës së Beogradit që të ketë ndonjë përparësi në bisedime në Bruksel por të ketë edhe ndonjë arsye që të destabilizojë këtë pjesë të Ballkanit pasi që dihet se edhe ndikimi rus është shumë i madh viteve të fundit dhe Serbia përdoret në Ballkan si mjet destabilizues i Rusisë në Ballkan”, tha zoti Musliu.

Beogradi ndërpreu të martën bisedimet teknike me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi një vizitë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë pas vrasjes së djeshme. Qeveria e Kosovës i ka dhënë lejen për këtë vizitë.

Vrasja nxiti reagime në shkallë të gjerë edhe të institucioneve ndërkombëtare të cilat krahas thirrjeve për ndriçimin sa më të shpejtë të vrasjes, bënë thirrje për qetësi me drojën që incidenti mund të rrisë tensionet posaçërisht në veriun e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë shtetësinë e Kosovës e cila muajin e ardhshëm kremton dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Nisma politike e Oliver Ivanovicçit u ishte nënshtruar trysnive gjatë zgjedhjeve për pushtetin komunal në tetor të viti 2017, në të cilat fitoi Lista Serbe një forcë politike që është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi.

Në muajin korrik në rrethana të pasqaruara ishte djegur makina e tij.

Oliver Ivanoviç ishte në pritje të rigjykimit nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile. Në janar të vitit 2016, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me nëntë vjet heqje lirie nën akuzat për “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në muajin shkurt të vitit 2017, çështja u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiç bisedë telefonike për Oliver Ivanoviç

Të mërkurën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar me telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha se përveç çështjeve të interesit të përbashkët në bisedë “një çështje e veçantë, e cila është diskutuar ishte edhe vrasja e djeshme e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” Oliver Ivanoviq. Lidhur me këtë çështje presidenti Thaçi ka siguruar presidentin Vuçiç se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”.

Në njoftimin e presidentin Thaçi thuhet se “organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshëm që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje.

Të dy presidentët theksuan domosdoshmërinë që t'u jepet kohë e mjaftueshme që organet kompetente të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ajo çfarë është kryesore në gjithë këtë çështje, është zbulimi i kryesve të kësaj vrasjeje, theksuan të dy presidentët”, thuhet në postimin e presidentit Thaçi.

Një ditë më parë, politikani lokal serb Oliver Ivanoviç u qëllua me armë zjarri në veriun e Mitrovicës. Oliver Ivanoviç i cili udhëhiqte nismën qytetare serbe, "Liria, Demokracia, Drejtësia", u qëllua para zyrës së tij në mëngjesin e së martës.

Policia e Kosovës tha se po vazhdojnë hetimet lidhur me vrasjen ndërsa bëri të ditur se është duke shikuar regjistrimet e kamerave të sigurisë që ishin të vendosura në zyrën e të ndjerit por edhe përreth, në pëprjekje për të ndriçuar rastin

Vrasja e Oliver Ivanoviç ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe Serbi ndërsa ngriti shqetësime për rritjen e tensioneve ndër etnike në vend.

Beogradi ndërpreu të martën bisedimet teknike me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi një vizitë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë pas vrasjes së djeshme. Qeveria e Kosovës i ka dhënë lejen për këtë vizitë.

XS
SM
MD
LG