Për shumë njerëz, kriptomonedhat si Bitcoin vazhdojnë të mbeten një mister. Por, për kompani të reja të drejtuara nga gra, kriptomonedhat janë një mënyrë alternative për të krijuar të ardhura në industrinë e teknologjisë.
Në botën e kompanive të reja të teknologjisë, nuk mungon kapitali për të investuar tek idetë e reja... nëse idetë vijnë nga burrat. Gratë shpesh ngelen pa mbështetje financiare.
“Skena e kapitalit për investime dominohet në masën 94% nga burra. Për arsye të ndryshme, ndër to edhe paragjykimi gjinor, bëhet objektivisht më e vështirë për gratë dhe minoritetet që të mbledhin fonde”, thotë Lisa Wang, drejtore e kompanisë “Sheworx”.
Tashmë, sipërmarrëset gra janë duke eksploruar burime alternative të fondeve. Ato po orientohen drejt fenomenit më të zhurmshëm në teknologji dhe financë – kriptomonedhat nëpërmjet teknologjisë blockchain.
“Vlera e teknologjisë blockchain është se eliminon ndërmjetësimin, pra nuk ka më nevojë për ndërmjetësa”, thotë Carolyn Rechkow, drejtore e operacioneve në firmën “Consensys”.
Heqja e ndërmjetësve krijon edhe më shumë mundësi. Tashmë mund të krijohen fonde nëpërmjet një monedhe dixhitale specifike për biznesin e tyre.
“Ky sistem i ri nuk dominohet nga meshkujt, pasi nuk sjell trashëgimi me vete. Pra, pse të mos fillojmë të ndërtojmë diçka?”, thotë Michelle McCormack, themeluese dhe drejtore e kompanisë “Casting Coin”.
Zonja McCormack krijoi kripto-monedhën Casting Coin, të cilën ajo synon ta përdorë për mbledhje fondesh.
“Kjo del përtej botës së vogël të financierëve që kontrollojnë fondet, dhe hap një botë ku gratë janë të lira të dëshmojnë vlerat e tyre”, thotë zonja Rechkow.
Por, është ende fillimi për këtë teknologji...
“Po shikojmë prurje të shpejta parash. Por, nuk dua ta quaj sukses menjëherë, pasi ende nuk dimë çfarë jetëgjatësie do të kenë këto procese për mbledhje fondesh”, thotë zonja Wang.
Për këto gra ambicioze, suksesi afatgjatë do të varet nga drejtimi që do të marrë kjo prirje e re.
Facebook Forum