Një firmë amerikane e sigurisë thotë se hakerat rusë që vodhën email-a nga Komiteti Kombëtar Demokrat gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 kanë tentuar të vjedhin informacione edhe nga Senati amerikan.
Një raport i ri nga firma e sigurimit Trend Micro, postuar në faqen e tyre të internetit të premten, thotë se hakerat krijuan faqe interneti në qershor që të duken si rrjeti i brendshëm i kompjuterave të Senatit, në një përpjekje për t’i mashtruar njerëzit të jepnin informata për të hyrë në rrjet.
Firma tha se grupi i hakerëve rusë, i njohur si Fancy Bear, është politikisht i motivuar dhe ende shumë aktiv.
Firma nuk thotë nëse operacioni që synonte të vidhte informacion në Senat kishte patur sukses. Kompania tha se ka dhënë informacion në lidhje me aktivitetet e hakerëve në Senat.
Trendi Micro tha se grupi i hakerëve "ka sulmuar organizatat politike në Francë, Gjermani, Mal të Zi, Turqi, Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara që nga viti 2015. Ne pamë sulme kundër organizatave politike përsëri në gjysmën e dytë të vitit 2017", thotë kompania.
"Këto sulme nuk kanë treguar shumë risi teknike me kalimin e kohës, por ato janë të përgatitur mirë, dhe shpesh vështirë për t'u mbrojtur".
Agjencitë amerikane të zbulimit thanë se hakerat e Fancy Bear vodhën emaila nga DNC gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, të cilat më pas iu ofruan WikiLeaks dhe u botuan.
Facebook Forum