Viti 2017 nisi me protesta e opozitës në bulevardin qëndror të Tiranës dhe u mbyll po me protestat e saj të forta këtë herë në parlament. Nw zgjedhjet e Qershorit, e majta arrin të garantojë një mandat të dytë qeverisës, tanimë e vetme, dhe pa aleatin e saj LSI-në, e cila kalon në opozitë. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha do të rikonfirmohet në këtë post, pas humbjes së thellë në zgjedhje e përmes një gare të kundërshtuar nga kritikët e tij brenda partisë. Procesi i Reformës në Drejtësi do të përparojë ngadalë duke hasur pengesa të shumta
KRIZA POLITIKE
Për tre muaj me radhë opozita qëndroinë sheshin përpara kryeministrisë duke kërkuar largimin e Qeverisë si kusht për garantimin e zgjedhjeve të lira në Qershor. Zgjidhja erdhi atëherë kur shumë pak e prisnin, falë një marrëveshjeje të arritur kokë më kokë, mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit demokrat Lulzim Basha.
“Ne do të qëndrojmë në këtë shesh për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme të cilat vijnë vetëm përmes shporrjes së qeverisë së krimit dhe një qeverie teknike” deklaron zoti Basha në fjalën e tij gjatë manifestimit të 18 Shkurtit ku njoftohet dhe nisja e një proteste pa afat. Çadra e ngritur menjëherë pas mbylljes së mitingut, do të kthehet në shtëpinë e opozitës për një kohë të gjatë, ndërkohë që deputetët e saj bojkotojnë parlamentin .
Aksioni i opozitës përgjatë javëve vjen e ashpërsohet, sikundër dhe gjuha e saj. “Doni luftë, luftë do të ketë, por qytetarët do të fitojnë”, shprehet zoti Basha më 24 Shkurt, në fjalimet e përditshme në çadër
Më 10 Mars të gjitha partitë që i janë bashkuar protestës, njoftojnë se nuk do të rregjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 Qershorit. Për zotin Basha nuk bëhet fjalë për bojkot, “sepse zgjedhje fasadë me krimin nuk do të ketë”. Më vonë, ndërsa protesta ka hyrë në muajin e dytë hidhet ideja e shtyrjes së zgjedhjeve: “Qeveria teknike do të duhet të ketë të paktën 100 ditë në dispozicion për të këputur lidhjet kriminale”, deklaron zoti Basha më 2 Prill. Pak ditë më pas, më 12 Prill, ai do të sulmojë dhe procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve: “Projekti i Vettingut është një projekt mafioz”.
Eshtë pikërisht avancimi i Reformës në Drejtësi që shihet nga shumica si shkaku i protestës së opozitës “duke u mbledhur në çadër e duke i bërë thirrje popullit, hajdeni na mbroni ne nga drejtësia dhe mbroni këta gjykatës dhe prokurorë nga Vettingu”, shprehet kryeministri Rama më 21 Shkurt
Në fillim të Marsit, zoti Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta do të ftojnë opozitën për dialog.Por kjo e fundit nuk lëviz nga kërkesa për Qeveri teknike. Pak ditë më vonë, më 12 Mars, kryeministri do të bëjë disa ndryshime në Qeveri, duke larguar 4 anëtarë të kabinetit të tij mes të cilëve ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe atë të Shëndetësisë Ilir Beqja, dy emrat më të sulmuar nga opozita. Kryeministri do të këmbëngulë se lëvizjet nuk kanë të bëjnë me protestën, ndërsa në 19 Mars do të deklarojë publikisht se do të hyjë në zgjedhje dhe pa opozitën: “Ne do të respektojmë datën e zgjedhjeve dhe deri më atë ditë do të angazhohemi në fushatë si asnjëherë më parë”.
Por kryeministrit i duhet të bëjë ndërkohë llogaritë dhe me aleatin e vet LSI-në, mesazhet e së cilës ishin parë dhe si një shkelje syri ndaj demokratëve. Zoti Meta, hedh idenë e një qeverie besimi. Në 3 Prill, LSI ofrohet e gatshme të lerë postet e saj në qeveri në funksion të krizës, ndërsa vë në pikëpyetje vazhdimin e koalicionit me socialistët dhe kërkon që opozitës t’i jepen të gjitha garancitë e mundshme që të hyjë në zgjedhje, në të kundërt “LSI, jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë por as edhe një farse elektorale të mundshme”.
Pavarësisht dyshimeve që ekzistojnë mes palëve, drejtuesi i LSI-së do të zgjidhet në Postin e presidentit pasi parlamenti dogji 4 raundet e para pa kandidatë. Pas zgjedhjes në postin më të lartë të vendit, zoti Meta do të deklarojë se “nuk jam i lumtur për shkak të rrethanave, por jam shumë i nderuar që jam zgjedhur president”.
Situata politike vijon të mbetet e nderë. Qëndrimet kritike të komunitetit ndërkombëtarë ndaj bojkotit të opozitës nuk kanë dhënë efekt. Në 3 Mars në Tiranë përfaqësuesja e Lartë e BE Federica Mogherini shprehet kritike me qëndrimin e opozitës ndërsa deklaron se bllokimi i parlamentit do të thotë “de facto” bllokim i krijimit të komisioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të nesërmen do të vijë një përgjigje e ashpër nga zoti Basha: “Tani po na thonë, bëni Vettingun se do hapim negociatat. Kësaj në shqip i themi broçkull, në anglisht ka një fjalë “bullshit”
Një fije shprese do të shfaqet në fund të Prillit, kur në Tiranë kryetari i Komisionit të Jashtëm të parlamentit europian David McAllister, i shoqëruar nga eurodeputeti Knut Fleckenstein, do të ndërmarrë një misioni ndërmjetësimi. Ai propozon një paketë me disa pika, përfshirë dhe shtyrjen e zgjedhjeve, por nuk do të arrijë të pajtojë palët. Megjithatë, paketa e tij do të merret si pikë referimi në përpjekjet e mëtejshme për dialog që do të ndërmarrë dhe presidenti Bujar Nishani. Dy raunde takimesh në Presidencë në fillim të Majit gjithashtu do të dështojnë.
Trysnia ndërkombëtare ndaj PD ndërkohë është shtuar me deklaratat se zgjedhjet do të njihen dhe pa pjesmarrjen e opozitës, ndërkohë që dhe zëra brenda opozitës kundërshtojnë strategjinë e zotit Basha. Pika e kthesës do të vijë nga ndërhyrja e ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee. Ai ofron një paketë të integruar mes asaj te eurodeputetit McAllister dhe disa propozimeve të kryeministrit Rama. Palëve u lihet kohë vetëm 24 orë për të dhënë një përgjigje të prerë me vetëm JO ose PO ndaj propozimit të tij.
Pas orësh intensive komunikimesh mes palëve, kur gjithshka dukej se kishte marrë sërish rrokullimën, mbrëmjen e 17 Majit, ndërsa partitë parlamentare ishin mbledhur në një takim, kryeministri Rama kërkon bisedime kokë më kokë me zotin Basha. Pas mesnatës njoftohet arritja e marrëveshjes “bazuar në paketën McAllister+ të propozuar nga SHBA-ja”, shpjegon zoti Basha në krah të kryeministrit Edi Rama.
ZGJEDHJET E QERSHORIT
Në bazë të marrëveshjes, zgjedhjet u shtynë me vetëm një javë. Më 25 Qershor do të zhvillohet dhe gara për kryebashkiakun e kavajës, e anulluar në maj për të shmangur një përplasje në kulmin e krizës. Opozita e cila angazhohet të votojë komisionet e rivlerësimit, merr 7 poste qeveritare, drejtimin e KQZ-ës dhe Avokatin e Popullit, si dhe të disa ndërmarrjeve shtetërore. Por shtrëngimi i duarve mes kryeministrit dhe kreut të opozitës, u pa dhe si një dakortësi e fshehtë mes palëve për të goditur LSI-në, e cila në munges të koalicioneve do të provojë forcat e vetme.
E mësuar me rolin e forcës që përcakton se nga do të anojë peshorja e pushtetit, LSI duket se u gjet e papërgatitur. Kjo ishte dhe arsyeja që ndonëse, pasi u zgjedh president, kishte premtuar se nuk do të përfshihej në fushatë, zoti Meta u rikthye në krah të kryetarit të ri Petrit Vasili, duke i dhënë sërish tonin asaj në cdo cep të vendit. Me një gjuhë të ashpër, ai nuk kurseu sulmet ndaj të dy krahëve: “Do të çlirojmë edhe Edin dhe Lulushin nga oligarkia”.
Socialistët mbajtën një linjë të qartë, duke kërkuar që në fillim një votë që të mund t’u jepte pushtetin të vetëm, në mnyrë që sipas zotit Rama të mos trajtohej më si një tepsi për t’u ndarë copash. “Na duhen të paktën 71 mandate, për të vazhduar përpara duke e mbajtur ne, timonin e reformave shtetbërëse”, deklaron zoti Rama më 21 Maj. Ndërsa për asnjë moment nuk e përjashtoi idenë e përhapur të një bashkëqeverisje të ardhshme PS-PD, kryeministri Rama ishte i prerë sa i takon LSI-së: “E përjashtoj si një mundësi, sepse LSI-ja e humbi mundësinë”.
Një situatë me komplikuar shfaqet për kryetarin demokrat Basha. Pasi përfshin në listat e PD-ës, drejtuesit e partive kryesore aleate, ai lë jashtë figura demokrate me peshë, një zgjedhje për të cilën, natën e 26 Majit, menjëherë pas mbylljes së saj, ai thotë se “Jam krenar për listën”. Reagimi nga brenda partisë do të jetë i ashpër. Kritikët e tij kërkojnë “shkarkimin e personit përgjegjës që në këtë rast është kryetari i Partisë zoti Basha”, deklaron zoti Arben Imami, në një konferencë për shtyp, më 29 Maj, së bashku me zonjën Jozefina Topalli.
Zoti Basha do mbrojë zgjedhjen e tij. “Kam bërë atë që premtova, dhe atë që ju prisnit, ndryshimin brenda nesh”, thekson ai në takimet e para elektorale. Me kalimin e ditëve zërat kritikë do zbehen. Në fushatën e tij zoti Basha do përqëndrohet të projekti i Republikës së Re, ide e hedhur që gjatë protestës, si dhe te ekonomia: “Më 25 Qershor votojmë për ekonominë”.
Fushata do të shkojë përgjithësisht e qetë, sikundër dhe dita e votimit. Si asnjëherë më parë rezultati do të dalë për një kohë rekord. Socialistët fitojnë të vetëm, duke u rritur dhe më shumë karahasuar me zgjedhjet e 2013, e duke siguruar 74 mandate. “Shqipëria ka folur troç. Shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht Kuq e Zi”, shprehet zoti Rama në mitingun e fitores më 27 Qershor.
Pas 8 vitesh në pushtet, Lsi kalon në opozitë, ndonëse ajo rrit përfaqësimin ne parlament, duke marrë 19 mandate. Për kryetarin Petrit Vasili ky është një mision historik “që ka të bëje me bërjen më në fund të vendit me një opozitë të vërtetë”. Dy ditë më pas, më 29 Qershor, ai jep dorëheqjen duke propozuar zëvendësimin me zonjën Monika Kryemadhi. Lsi do të flasë për “një proces të shëmtuar zgjedhor”.
Për një proces të kontrolluar nga blerja e votës do të pretendojë dhe Partia demokratike, e cila pëson një humbje të rëndë duke zbritur në 43 mandate. Zoti Basha deklaron se merrte të gjithë përgjegjësitë për rezultatin, por duke i bërë pritë sulmeve të kundërshtarëve brenda partisë, që menjëherë nisën të kërkonin dorëheqjen e tij, thekson se “sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë, por këtë nuk mund ta përcaktojnë as ata që nuk punuan asnjë ditë për fitoren e Partisë Demokratike”.
GARA PER KREUN E PD
Ndërsa do të njoftojë hapjen e garës për drejtimin e partisë, zoti Basha refuzon largimin duke prpozuar formulën e ngrirjes së funksioneve të tij si kryetar. Javët që do të pasojnë do të jenë të ngarkuara me polemika të forta. Ndërsa pikëpyetjet nuk do të mungojnë dhe mbi vetë procesin e votimit, ku zoti Basha pati përballë vetëm një kandidat, zotin Eduard Selami.
Qëndrimi i zotit Basha vetëm sa e shton furinë e goditjeve ndaj tij, deri dhe me thirrje drejtuar demokratëve që ta nxjerrin atë nga selia e partisë. Në emër të një grupi të madh anëtarësh të forumeve të partisë zonja Jozefina Topalli flet më 30 Qershor, për një garë farsë që ka si synim “jo thjesht të mbajë peng partinë dhe të grabisë një mandat të ri drejtues, por së pari po kërkon që t’i shmanget marrjes së përgjegjësisë dhe dhënies së llogarisë për humbjen katastrofale në zgjedhje”
Kritikët e zotit Basha nuk e shohin bindëse kandidaturën e zotit Selami. Një tjetër emër i njohur, Astrit Patozi, deklaron më 1 Korrik, synimin për të konkurruar “në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara”. Kërkesat e zotit Patozi rrëzohen gjatë një mbledhjeje të tensionuar të kryesisë, dhe ai nuk do të përfshihet në garë. Së bashku me figura të tjera të PD-ës, do të vazhdojnë deri në fund përpjekjet për të denoncuar garën: “Injorojeni dhe refuzojeni farsën e 22 Korrikut”, është thirrja e zotit Patozi në një takim në Tiranë, së bashku me shumë figura të tjera demokrate, një ditë para zgjedhjeve.
Kandidati tjetër Selami, i cili gjithashtu kishte kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve, nuk do të tërhiqet. Gjatë fushatës së tij ai propozon një reformim të thellë të partisë duke i mëshuar idesë së bashkimit, ndërsa është kritik me rivalin e tij: “Eshtë një lidership i kapërcyer, një lidership i refuzuar nga qytetarët. Zoti Basha mendon më shumë për mbajtjen me çdo kusht të postit të kryetarit, se sa për shëndoshjen dhe ringritjen e Partisë Demokratike”.
Nga ana e tij zoti Basha do të zhvillojë një fushatë të mbyllur. Ai vazhdon të mbrojë projektin e Republikës së Re, me të cilën u shfaq në zgjedhjet ku pësoi një disfatë. Ndonëse në fillim shprehet se ai merrte përgjegjësitë e tij, rezultatin ja faturon fenomenit të shitblerjes së votës, që sipas tij kishte prekur dhe vetë votuesit demokratë: “Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi. Pagesa 200 mijë lekë për familje, jo për votues”.
Më 22 Korrik do të fitojë thellë, me mbi 90 përqind të votave. Rivali Selami do e përshëndesë: “I kam telefonuar zotit Basha dhe i kam uruar fitoren”. Kundërshtarët e e tij në parti hodhën dyshime të forta për manipulime. Ndërsa vetë zoti Basha do të shprehet se dera mbetet e hapur dhe është i mirëpritur cilido “edhe nëse për një moment ka humbur rrugën”.
QEVERIA DHE ÇESHTJA TAHIRI
Me partinë kryesore të opozitës të dalë nga një humbje e thellë dhe e përçarë nga gara e brendshme, u duk se shumica do ta gëzonte për një kohë të gjatë e patrazuar, fitoren e 25 Qershorit. Por shumë shpejt, qetësia do të tronditet nga dyshimet për lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me një grup narkotrafikantësh.
Kryeministri Rama do të prezantojë qeverinë e tij të re në gusht. Numri i ministrive reduktohet në 11 nga 16 të tilla në mandatin e parë. Ndërsa gjysma anëtarëve të ekzekutivit të ri do të jenë gra. Shumica e ministrave do ta mësojnë në sallë përfshirjen në qeveri.Në një fjalim të gjatë në Asamblenë socialistë zoti Rama paralajmëron se “fitorja e 25 Qershorit mund të jetë për ne e para e një epoke të re për Shqipërinë ose e fundit, për një kohë të gjatë”. Disa javë më vonë qeveria do të pasurohet me mbi 30 zëvendësministra.
Në paraqitjen e programit në parlament, në 11 Shtator, zoti Rama kërkon bashkëpunim me opozitën nën frymën e marrëveshjes së 18 majit: “Të ndërmarrim një nisëm të përbashkët, një tryezë të hapur për gjërat e mëdha që duhet të na bashkojnë”. Por për zotin Basha “zgjedhjet e 25 Qershorit shënuan vdekjen e kësaj marrëveshjeje”. Sipas tij zgjedhjet u blenë me paratë e drogës.
Në fakt çështja e marijuanës dhe kultivimi i saj masiv në 2016 kish qenë një kalë i fortë beteje i opozitës. Qeveria e cila ishte përpjekur fillimisht ta minimizonte, detyrohet që në fillim të vitit të hartojë një plan strategjik ndërhyrjeje. Në 2017, ndërsa dhjetra tonelata sekuestrohen nga policia vendase dhe ajo italiane, shifrat e kultivimit, siç tregon dhe monitorimi i Guardia di Financa, u reduktuan në mënyrë drastike.
Por kjo temë do të mbetet në qendër të luftës politike. Në Tetor, shkatërrimi i një organizate kriminale italo-shqiptare në Catania, çon në arrestimin e Moisi Habilajt, një prej vëllezërve të denoncuar me kohë për lidhje familjare me ish ministrin Saimir Tahiri. Në përgjimet e trafikantëve emri i tij përmendet disa herë për dhurata apo sasi të mëdha eurosh. Zoti Tahiri mohon çdo lidhje të paligjshme duke pranuar se “kam bërë gabimin e madh dhe të vetëm, se më shumë se katër vite më parë u kam shitur makinën personale”.
Ai vetë do të kërkojë të hetohet. Opozita ndërkohë është hedhur në sulm. “Sot është dita që Saimir Tahiri të arrestohet”, deklaron zoti Basha në 17 Tetor. Të nesërmen thirret tryeza opozitare që kërkon largimin e kryeministrit Rama i cili i kish dalë gjithnjë në krah Tahirit. Këtë herë ai do të mbajë një qëndrim fillimisht të distancuar ndaj çështjes. Kërkesa e Prokurorisë, në 19 Tetor, për arrestimin e ish ministrit hap një betejë të fortë politike. Në Komisionin e Mandateve dhe Imuniteteve zhvillohen seanca të gjata. Për socialistët veprimi i prokurorisë ka sfond politik. “Kërkesa e Prokurorisë për arrestim, është e papranueshme sepse është arbitrare”, deklaron kryeministri më 23 Tetor në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Tahiri ndërkohë zhvishet nga cdo funksion politik e partiak në PS.
Opozita reagon menjëherë. Për zotin Basha Parlamenti nuk mund të gjykojë kërkesën e prokurorisë, “as nuk ka të drejtë të kthehet në gjykatë e të gjykojë prova që i takojnë gjykatës”. Reagim i fortë vjen dhe nga LSI-ja. “Kryeministri shqiptar ju dorëzua pa kushte krimit dhe trafikantëve”, thekson kryetarja Monika Kryemadhi. Seanca e parlamentit në 25 Tetor do të jetë një formalitet. Me 75 vota të së majtës, kërkesa e Prokurorisë rrëzohet.
Ndërsa një ditë më pas, banesa e zotit Tahiri i nënshtrohet kontrolleve, telashet për ish ministrin nuk kanë të sosur. Në Nëntor një biznesmen kapet nga policia. Në automjetin e tij gjenden 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të zotit Tahiri. Prokuroria deklaron se ka dyshime se paratë janë të ish ministrit.
REFORMA NE DREJTESI
Debatet e shumta lidhur me drogën, krimin e organizuar e korrupsionin, sjellin në vëmendje, gjithnjë e më me forcë, Reformën në Drejtësi. Zbatimi i saj do të hasë pengesa nga më të ndryshmet. Dhe vetëm në vjeshtë komisionet që do të kryejnë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mund të nisin punën.
Në fillim të vitit, më 26 Janar, ambasada amerikane njofton revokimin e vizave për 23 gjyqtarë, përfshi anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetutese, si dhe prokurorë të nivelit të lartë mes të cilëve kryeprokurori Adriatik Lalla dhe bashkëshortja e tij. Një veprim që sipas ambasadës, “ndërmerret përpara procesit të pritshëm të rivlerësimit”.
Pak ditë më pas, më 2 Shkurt, ndërsa flet për përpjekjet për të penguar Reformën në Drejtësi, ambasadori Donald Lu drejtoi gishtin mbi zotin Llalla: “Për më shumë se 18 muaj, ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër Reformës në Drejtësi”. Zoti Llalla reagoi me tone të ashpra duke akuzuar ambasadorin amerikan për presione dhe ndërhyrje: “Zoti Lu mendon se ka në dorë fatin e Prokurorisë, kur shantazhon institucionet për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash”
Një tjetër përplasje do të shënohet në muajin Shkurt, ndërsa sapo prezantohet në Tiranë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, (ONM) i cili do të ndihmojë në procesin e rivlerësimit. Kur kishte vetëm pak ditë në postin e ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili ngre pikëpyetje mbi Bordin e ONM-ës duke theksuar se nuk parashikohet nga Kushtetuta. Një tjetër ministre e LSI-së, Klajda Gjosha e Integrimit, i shkruan komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn, i cili përgjigjet pak ditë më pas duke shprehur habinë e tij për shqetësimet e ngritura, ndërsa saktëson se “Bordi do të ketë vetëm kompetenca të koordinimit të aktivitetit të ONM-ës”, e cila ndërkohë ka caktuar ekspertët ndërkombëtar për vlerësimin e kandidaturave për komisionet e rivlerësimit.
Disa nga ligjet e paketës së parë të Reformës do të kundërshtohen në kohë të ndryshme në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë të paktën 4 ankimime, një nga Partia demokratike, dy nga shoqatat e gjyqtarëve dhe një tjetër nga ajo e prokurorëve. Pas një kalvari të gjatë, në vjeshtë , në 30 Tetor, institucionet që do të kryejnë rivlerësimin nisin përfundimisht nga puna. Kryetarja e Kolegjit të Apelit Natasha Mulaj thekson se “ne duhet të bëjmë drejtësi edhe sikur qiejt të përmbysen”.
Zvarritjet në procesin e Reformës do të sjellin një përplasje të fortë në fund të vitit, për shkak të skadimit të mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhe interpretimeve të ndryshme ligjore. E majta ju përmbajt variantit të ekspertëve të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, për caktimin e një kryeprokurori të përkohshëm që zgjidhet me shumicë të thjeshtë në parlament. Opozita flet për shkelje të Kushtetutës dhe përpjekje të kryeministrit për të vënë nën kontroll drejtësinë. “Debati është Kushtetuta ose ligji. Ne themi Kushtetuta, ju thoni ligji. Me ligjin vazhdoni. Ne i qëndrojmë Kushtetutës”, deklaron në 7 Dhjetor, deputeti Eduard Halimi, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve
Seanca në parlament, në 18 Dhjetor, do të zhvillohet në kaos. Ndërsa jashtë policia frenon mbështetësit e opozitës kryeprokurorja Arta Marku do të betohet mes reve të tymueseve të ndezura në sallë . Për opozitën “Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës, për të mbrojtur Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë veten e tij”, shprehet në mbyllje të seancës zoti Basha.
Pas një mbledhjeje të përbashkët PD e LSI- njoftojnë nisjen e protestave në fillim të 2018. Kryeministri Rama flet për “shfaqjen më të fundit të përpjekjes së dëshpëruar për bllokimin e Reformës në Drejtësi”.
Dhuna në sallë do të dënohet nga delegacioni i Bashkimit Europian dhe ambasada amerikane. Kjo e fundit nuk e fsheh aprovimin për largimin e zotit Llalla ndërsa shprehet se: “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.
Facebook Forum