Shumë njerëz e vënë në dyshim ekzistencën e ndryshimeve klimatike apo ndikimin e njeriut tek klima. Por në zonat bregdetare të Shqipërisë banorët thonë se ka kanë prova konkrete që e dëshmojnë këtë problem. Avancimi i detit në zonat bregdetare ka gllabëruar dhjetëra metra plazh gjatë dekadave të fundit dhe po dëmton biznesin dhe mënyrën e jetesës së banorëve, siç vihet në dukje në materialin e përgatitur nga Agjencia Franceze e Lajmeve, AFP.
Ndërtesat prej betoni shtrihen përgjatë bregut të Adriatikut në qytezën turistike të Shëngjinit. Por në ujërat e detit sheh shumë ndërtime të mbuluara pjesërisht, provë e avancimit të vijës së detit që po gllabëron brigjet ranore. Nga 427 kilometra vijë bregdetare që ka Shqipëria, 154 kilometra janë të prekura nga erozioni.
Banorët lokalë fajësojnë ndërtimet pa leje që zaptuan bregdetin pas ndërrimit të sistemeve. Hotele, shtëpi pushimesh, restorante e ndërtime të tjera të ngritura buzë detit dëmtuan rryma e natyrshme të ujit, duke shkaktuar erozion të përshpejtuar, ankohen banorët e Shëngjinit.
Përveç vijës bregdetare që tërheq turistë gjatë sezonit të plazhit, zona frekuentohet edhe nga entuziastë të natyrës, pasi këtu gjendet Laguna Kune, e njohur për florën dhe faunën e pasur. Përmbytjet e shpeshta e të fuqishme po kërcënojnë mënyrën e jetesës për banorët lokalë.
Problemi vërehet në pika të ndryshme gjatë vijës bregdetare të Shqipërisë. Biznesmeni Asim Krasniqi ka vërejtur se vëllimi i punës ka rënë ndjeshëm me ngushtimin e zonës ranore pranë lokalit të tij në Qerret:
Autoritetet janë zotuar të pastrojnë bregdetin nga ndërtimet pa leje. Por specialistët thonë se këto masa nuk mjaftojnë dhe se duhen ndërtuar barriera mbrojtëse përgjatë bregdetit për të penguar erozionin. Struktura të tilla kanë kosto të lartë dhe praktikisht të papërballueshme për një ndër vendet më të varfra të Evropës, një vend nën mëshirën e detit që po tkurret fizikisht dita-ditës.
Facebook Forum