Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se i ka bërë thirrje palëve politike që të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm” Adriatik Llalla, të cilit i përfundoi mandati javën e shkuar. Të dyja palët, theksoi ambasadori Lu “duhet t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen për bashkëpunim drejtuar kryetarit demokrat Lulzim Basha. Ky i fundit në një deklaratë ritheksoi qëndrimin kundër një prokurori të përkohshëm duke nënvizuar se “Reforma në drejtësi është në Kushtetutë”
“I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati pesëvjeçar më 7 dhjetor. Shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi”, deklaroi sot ambasadori amerikan Donald Lu, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Avokati i Popullit.
Thirrja e tij vjen në një moment kur ka një ndarje të thellë mes shumicës dhe opozitës në interpretimin e procedurës që duhet ndjekur për pasuesin e zotit Llalla, e provokuar nga vonesat në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë të parashikuara nga reforma, mes të cilave dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organi që duhet të propozojë Prokurorin e ri të Përgjithshëm. E majta i përmbahet variantit të ofruar nga ekspertët europianë dhe amerikanë të misioneve të ndihmës ligjore Euralius dhe Opdat për caktimin e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, dhe kjo në parlament përmes një shumice të thjeshtë. Për opozitën ky do të ishte një veprim në shkelje të Kushtetutës, e cila përcakton se përfundimi i mandatit të kryeprokurorit deklarohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ekspertët ndërkombëtarë janë shprehur kategorikisht kundër zgjatjes së mandatit të zotit Llalla. Dhe ky interpretim i tyre ka gjetur mbështetjen dhe të ambasadës amerikane dhe delegacionit të Bashkimit europian. Dhe duket se pikërisht këtij momenti i ka mëshuar ambasadori Lu kur tha se “të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar. Sistemi i vjetër i drejtësisë mbronte njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik. Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht. Ky vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë”.
Ambasadori Lu foli dhe për ecurinë e zbatimit të reformës në Drejtësi e cila sipas tij ka hyrë në një çast vendimtar dhe se shumë shpejt do të përfundojnë rastet e para të rivlerësimit. “Politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur”, u shpreh ai.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama përsëri thirrjen drejtuar kreut demokrat Lulzim Basha për bashkëpunim. Në një postim në Facebook ai shkruante se “është koha për të vënë drejtësinë mbi frikën nga drejtësia; dialogun mbi çdo mjet tjetër politik; negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë nê BE mbi gjithçka që na ndan në parti të ndryshme”.
Përgjigja e zotit Basha i ishte drejtuar më së shumti ambasadorit amerikan. Sipas tij “që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut”, shkruan zoti Basha, duke shtuar se “që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta. Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake”, thekson zoti Basha.
Në të njejtën linjë dhe kreu i grupit të LSI-së Petrit Vasili. “Reforma në drejtësi ecën përpara vetëm duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin tashmë të reformuar. Kjo na duhet! Kompromisi politik, që zhbën kushtetutën dhe ligjin, s'mund të jetë pazari i radhës, qoftë ky i bërë në shqip apo anglisht. Ky nuk na duhet”, shprehet zoti Vasili përmes një postimi në Facebook.
Sot pasdite përfundoi afati i rregjistrimit të kandidatëve për Prokurorin e Përkohshëm, dhe janë të 7 prokurorë që kanë aplikuar për këtë post.
Facebook Forum