Televizioni CBS shkarkoi nga puna gazetarin veteran Charlie Rose, një ditë pasi gazeta Washington Post botoi histori të tetë grave që e akuzojnë atë për ngacmime seksuale.
Shkarkimi ndodhi disa orë pasi kolege të tij e dënuan me forcë 75-vjeçarin Rose, duke thënë se ishin tronditur pasi kishin dëgjuar akuzat ndaj tij për ngacmime që mendohet të kenë ndodhur nga fundi i viteve 1990 deri në vitin 2011.
Tetë akuzueset kanë punuar për Charlie Rose ose kanë kërkuar punë në stafin e tij. Ato e akuzojnë gazetarin për prekje të papërshtatshme, ngacmuese.
“Më erdhi keq pasi e kam njohur Charlien për një kohë të gjatë. Me sa kuptoj e ka pohuar. S’di ç’të them. Është për të ardhur keq,” tha gazetari Larry King.
“Duhet të dëgjojmë që të mësojmë dhe të dimë si të parandalojmë skenare të tilla jo vetëm në Hollivud, por kudo në botë, në çdo vend pune, në çdo kulturë. Kjo sjellje duhet të jetë e papranueshme,” thotë aktori Kenneth Branagh.
Gazetari postoi në Twitter një koment ku kërkonte ndjesë për sjelljen e tij. Charlie Rose është rasti më i ri i një figure publike që akuzohet për sjellje të papërshtatshme seksuale.
Në Alabama, kandidati republikan për senator Roy Moore vazhdon të mohojë akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale me një të mitur kur ai ishte në të 30-tat.
Kandidati për senator nuk po përfill thirrjet e disa republikanëve me peshë që të tërheqë kandidaturën.
Anketat në Alabama tregojnë se rivali i tij demokrat kryeson aktualisht në garë.
Facebook Forum