Ligjvënësit në Zimbabve njoftuan se do të fillojnë procedurat për shkarkimin e Presidentit Robert Mugabe, i cili refuzoi të japë dorëheqjen brenda afatit që i ishte përcaktuar. Zoti Mugabe vazhdon të mbahet nën arrest shtëpie nga forcat e ushtrisë.
Anëtarë të partisë në pushtet ZANU-PF thanë se shpresojnë që procesi të përmbushet brenda një jave.
Një zëdhënës i partisë së opozitës tha se largimi i zotit Mugabe duhej bërë prej kohësh.
“Ne kemi këmbëngulur gjithnjë, edhe përpara se të zhvilloheshin ngjarjet e javës së kaluar, se Mugabe duhet të largohet. Ai nuk është më i përshtatshëm dhe nëse ja dalim mbanë ta largojmë, besojmë se do të na lehtësohet përmbushja e axhendës sonë për demokratizimin”, tha Obert Gutu, zëdhënës i opozitës.
Mocioni për shkarkimin e tij përfshin akuza për abuzim të autoritetit duke emëruar bashkëshorten, Grace Mugabe, si pasardhëse. Zoti Mugabe e ndërmorri këtë hap pasi shkarkoi nga posti i Zëvendës Presidentit heroin popullor, ish-ushtarakun Emmerson Mnangagwa.
Gjatë një deklarate sot, zoti Mnangagwa i bëri thirrje zotit Mugabe të dëgjojë popullin dhe të dorëhiqet. Ai gjithashtu tha se nuk do të kthehet në Zimbabve derisa t’i garantohet siguria e tij personale.
Zoti Mugabe, kreu më i vjetër i shtetit në botë, është vendosur nën arrest shtëpie që javën e kaluar, pasi ushtria mori disa prej institucioneve kryesore.
Facebook Forum