Grupi Hezbollah i Libanit akuzoi Arabinë Saudite se ka detyruar kryeministrin Saad al-Hariri të dorëhiqet. Pas dorëheqjes së papritur të së shtunës ish kryeministri libanez u shfaq sot në media, në një takim me mbretin Salman të Arabisë Saudite në Riad. Saad al-Hariri e njoftoi dorëheqjen e tij gjatë një fjalimi televiziv në Riad, duke deklaruar se jeta e tij ishte në rrezik. Ai akuzoi Iranin, rivalin kryesor të Arabisë Saudite dhe aleatin e tij libanez Hezbollahun për mbjellje të konfliktit në botën arabe.
Vendimi i beftë i Saad al-Haririt u prit me kritika e polemika në Bejrut pasi lëkundi qeverinë e koalicionit me grupin mysliman shiit Hezbollah, duke e kthyer Libanin pas, në vijën e frontit të rivalitetit Arabi Saudite-Iran si dhe duke rrezikuar një krizë politike pa afa
Të dielën, kreu i lëvizjes Shiite të Hezbollahut në Liban Hassan Nasrallah, tha se grupi, pjesë e qeverisë së Haririt gjatë vitit të kaluar, nuk e ka shtyrë atë të dorëhiqet.
"Hezbollahu nuk do të flasë mbi përmbajtjen e deklaratës së dorëheqjes, sepse e konsiderojmë atë si një tekst të shkruar nga Arabia Saudite, pra një deklaratë të Arabisë Saudite. Kur të vendosim të diskutojmë mbi përmbajtjen politike të deklaratës, do t’i drejtohemi Arabisë Saudite", tha Hassan Nasrallah, udhëheqësi i Lëvizjes Shiite të Hezbollahut të Libanit.
Dorëheqja e Saad Haririt pasoi konsultimet me udhëheqësit arabë në Riad dhe një takim në Bejrut me këshilltarin më të lartë për politikën e jashtme të Iranit, Ali Akbar Velayati.
Zoti Hariri tha se klima politike në Liban i ngjante asaj që mbizotëronte në muajt përpara se të vritej babai i tij, ish kryeministri Rafik al-Hariri, në shkurt 2005. Ai tha se jeta e tij kërcënohej nga një "komplot i fshehtë". Për një kohë të gjatë mediat arabe dhe libaneze kanë akuzuar grupin Hezbollah për vrasjen e Rafik al-Haririt.
Hariri akuzoi Iranin dhe Hezbollahun për krijimin e mosmarrëveshjeve në vend dhe në rajon si dhe akuzoi Iranin për ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të tjera arabe, përfshirë Sirinë, Irakun, Bahrenin dhe Jemenin.
Facebook Forum