Lidhje

Maqedoni, Gruevski merr mandatin për formimin e qeverisë


Në Maqedoni, presidenti Gjorgje Ivanov i dorëzoi sot kryetarit të partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski mandatin për formimin e qeverisë, në ditën e fundit të afatit.

Gruevski merr mandatin për formimin e qeverisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Megjithëse partia VMRO-DPMNE fitoi më shumë mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, deri tani ajo nuk ka siguruar shumicën e nevojshme në parlament për miratimin e kabinetit të ri qeveritar. VMRO-ja ka fituar 51 vende ndërsa Lidhja Social Demokrate ka siguruar 49.

Tek partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim mori 10 mandate, nëntë më pak se në zgjedhjet e vitit 2014. Si parti e dytë doli Lëvizja Besa në koalicion me njërin prej fraksioneve të Rilindjes Demokratike Kombëtare me gjithsej 5 deputetë, ndërsa Lëvizja për Reforma me partnerët e Aleancës për Shqiptarët ku bëjnë pjesë Uniteti dhe pjesa tjetër e Rilindjes Demokratike Kombëtare arritën të fitojnë tre vende në parlamentin e Maqedonisë. Partia Demokratike Shqiptare e cila pësoi humbjen më të thellë, ka vetëm dy mandate në parlament.

Nga dita e sotme, Nikolla Gruevski ka 20 ditë për të formuar qeverinë. Kjo do të jetë një përpjekje e vështirë, duke patur parasysh marrëveshjen e partive shqiptare me anë të së cilës paraqesin kushte për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, e që kërkojnë nga ana tjetër, ndryshime kushtetuese. Po ashtu, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët janë shprehur prerazi se nuk do të futen në një koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në.

Nëse zoti Gruevski nuk arrin ta formojë qeverinë brenda afatit, atëherë mandati i kalon Lidhjes Social Demokrate, si partia e dytë me më shumë vende në parlament.

Në një intervistë dhënë të përditshmes Dnevnik, zoti Gruevski i dërgon mesazhe BDI-së duke theksuar ndjenjat e zhgënjimit dhe përpjekjet e partisë shqiptare që në këtë mënyrë të vendos një rregull të ri. Gruevski shpreson se brenda një të ardhmeje të afërt do të ketë zgjedhje të reja dhe se partia e tij do të fitonte thellë dhe në atë rast nuk do të kishte obligime ndaj askujt në formimin e qeverisë.

Komisioni Evropian ka theksuar sot nevojën për formimin sa më shpejt të një qeverie të qëndrueshme. Zëdhnësja Maja Kocianjçiç duke folur nga Brukseli tha se KE dëshiron të shohë realizimin e reformave që dalin nga marrëveshjet politike të vendit. Para pak ditësh zyrtarët e lartë Mogherini dhe Hahn janë shprehur se presin që opozita e ardhshme të ketë rol konstruktiv dhe aktiv në parlamentin e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG