Lidhje

Për shqiptarët trashëgimia komuniste s’përbën problem të madh


Në Shqipëri,qytetarët nuk e shohin trashëgiminë e të shkuarës komuniste si një problem të madh me të cilin përballet vendi sot, sidomos krahasuar me problematika të tjera më të mëdha si ekonomia, korrupsioni, keqqeverisja, pandëshkueshmëria dhe shëndetësia. Ky është një ndër përfundimet e një anketimi të realizuar nga OSBE-ja me synimin për të ofruar të dhëna të reja rreth mënyrës se si shqiptarët e shohin të shkuarën komuniste të Shqipërisë, çfarë dinë ata në të vërtetë për regjimin e mëparshëm dhe çfarë duan apo presin prej përpjekjeve për të trajtuar trashëgiminë e së shkuarës. Krahasuar me popullsinë në tërësi, ka më shumë gjasa që të persekutuarit ta shohin trashëgiminë komuniste si problem thelbësor. Në të njëjtën kohë, mbi një e treta e të përsekutuarve janë të mendimit që kjo trashëgimi nuk është fare problem, çka e cila thekson faktin që perceptimi I tyre nuk është një i vetëm.

Thuajse gjysma e të anketuarve mendojnë se komunizmi në Shqipëri ishte “ide e mirë, por e zbatuar keq ” (në të gjithë grupmoshat). Mbi një e treta e të anketuarve mendojnë se komunizmi ishte thjesht “ide e keqe” sërish me shumë pak ndryshim nga grupmosha në grupmoshë. Vetëm 10% e të anketuarve shprehen se komunizmi në Shqipëri ishte “ide e mirë e zbatuar mirë ” por numri i më të moshuarve që kanë këtë mendim pozitiv është dy herë më i madh sesa ai i të rinjve. Të para sipas rajoneve, rezultatet tregojnë që rajoni qendror (Tirana dhe Durrësi) kanë numrin më të madh të të anketuarve që mendojnë se komunizmi në Shqipëri ishte “ide e keqe” Numri më i madhe i qytetarëve që mendojnë se komunizmi në Shqipëri ishte ‘ide e mirë e zbatuar si duhet’ ishte në rajonin juglindor.

Gjithashtu, perceptimi i jetës në komunizëm nuk është një i vetëm dhe shumica e njerëzve mendojnë se të paktën disa aspekte të jetës ishin më mirë në atë regjim, të tilla si siguria, arsimi dhe punësimi (si mundësitë për punësim, ashtu edhe kushtet e punës). Aspektet e jetës që njerëzit mendojnë se ishin më keq janë mungesa e lirisë, lufta e klasave dhe shkelja e të drejtave të njeriut. Të anketuarit janë të mendimit se zhvillimi ekonomik ishte më keq nën komunizëm.

Roli i diktatorit Enver Hoxha në historinë e Shqipërisë shihet si pozitiv nga thuajse gjysma e qytetarëve,- por po aq e shohin rolin e tij si negativ. Sipas anketës, grupmosha 16-35 vjeç ka një mendim më të fortë negativ për kontributet e Enver Hoxhës krahasuar me grupmoshat e tjera. Të anketuarit nga rajoni jug/jugperëndimor janë ata që mendojnë më pozitivisht për Enver Hoxhën. Nuk ka një mendim të qartë të shumicës për rolin e Nexhmije Hoxhës; edhe mendimet për rolin e Ramiz Alisë në historinë e Shqipërisë janë të ndara. Gjithsesi, del që të anketuarit më të arsimuar kanë mendime më negative lidhur me rolin e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

Lidhur me procesin e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit, qytetarët në përgjithësi e mbështesin atë, edhe pse, sipas anketimit, një numër i konsiderueshëm njerëzish nuk e kanë informacionin e nevojshëm që të mund të japin mendime për ligjin. Mbështetja për hapjen e dosjeve duket se lidhet të paktën pjesërisht me potencialin e këtij procesi si mekanizëm lustracioni. Rezultatet e anketës tregojnë se ka shumë interes për lustracionin. “Por duke qenë se ligji për hapjen e dosjeve nuk parashikon lustracionin, ai mund të mos përmbushë shpresat apo pritshmëritë e publikut edhe nëse zbatohet plotësisht”, thekson OSBE-ja. Rezultatet e anketës sugjerojnë që qytetarët nuk kanë interes personalisht lidhur me marrjen e informacionit nga dosjet e ish-Sigurimit. Sidoqoftë, një numër më i madh të anketuarish mendojnë që ky proces është i rëndësishëm për vendin (pavarësisht se nuk lidhet drejtpërsëdrejti me ta personalisht) dhe një pjesë e mirë e qytetarëve është e interesuar që të informohet për punën e autoritetit përgjegjës për hapjen e dosjeve.

Lidhur me informacionin për regjimin e mëparshëm, të rinjtë kanë më pak informacion për tiparet e komunizmit shqiptar sesa ata në moshë më të madhe, duke reflektuar faktin se përvoja personale me atë regjim është burim i rëndësishëm informacioni. Tiparet kryesore të jetës nën regjimin komunist kuptohen mirë, përgjithësisht. Publiku i gjerë nuk i njeh mirë të persekutuarit dhe duket se ka informacion të kufizuar për figurat publike të komunizmit. Televizioni, sipas anketës, rezulton se ka rol shumë të rëndësishëm në dhënien e informacionit mbi të shkuarën, ndërkohë që duket se shkolla luan një rol tejet të kufizuar. Ndërkohë që shkollat janë përgjegjëse që t’u mësojnë historinë të rinjve, duket se ka shumë hapësira për ta fuqizuar rolin e tyre për të ofruar më shumë mësime për periudhën komuniste. Në punën lidhur me të shkuarën komuniste duhet të merret parasysh roli i qartë dominues i televizionit.

XS
SM
MD
LG