Nesër është Dita e Falenderimeve këtu në Shtetet e Bashkuara. Me rastin e festës, një grup lokal bashkon vullnetarë dhe anëtarë të komunitetit me fqinjët e tyre të sapoardhur, refugjatë, për një darkë të veçantë. Njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff.
Këtu nuk gjen festën tipike të Falenderimeve. Por në Arlington të Virxhinias, miqtë dhe familjet e refugjatëve të ardhur kohët e fundit janë bashkuar për festën tipike amerikane.
“Jam shumë e lumtur që punoj me refugjatët” thotë Kidist Tesfaye.
Ajo u transferua në Shtetet e Bashkuara me ndihmën e Këshillit për Zhvillimin e Komunitetit Etiopioan, një organizatë jo-fitimprurëse që ndihmon refugjatët të gjejnë punë, shkolla dhe vende për të jetuar.
Gostia e Falenderimeve sonte ka për qëllim për të mirëpritur të sapoardhurit – disa prej të cilëve mbërritën këtu këtij muaji.
“Qëllimi i programit është që t’u japim atyre dashuri dhe mundësinë amerikane. Amerika është për të gjithë. Kështu që ne u japim atyre atë dashuri. Ky është programi i darkës” thotë Kidist Tesfaye.
Së bashku, rreth tryezës.... kjo darkë e Falenderimeve është një lloj banketi multukulturor.
“Mendoj se kjo është Festa e pestë apo e gjashtë e Falenderimeve për mua.”
Sadiqali Haidari, me origjinë nga Pakistani, është këtu me vajzën e tij 19-vjeçare.
Në anën tjetër të sallës, Chandra nga Sri Lanka rri e buzëqeshur.
“Shumë bukur, shoh kaq shumë njerëz, nga vende të ndryshme, dhe gatime të ndryshme” thotë ajo.
Rreth këtyre tavolinave nuk do të dëgjoni diskutime politike. Vetëm njerëz që shijojnë ushqimet dhe shoqërinë e mirë.
“Kur njerëzit hanë së bashku, një gjë e jashtëzakonshme ndodh. Befasisht ata kuptojnë se kanë më shumë të përbashkëta se sa dallime mes tyre”, thotë Sarah Zullo, e Këshillit për Zhvillim të Komunitetit Etiopian.
Përqafimi i këtyre dallimeve, sipas drejtorit të ECDC-së është pjesë e asaj që ka ndihmuar programin të jetë i suksesshëm për 30 vjet.
“Roli ynë në procesin e vendosjes së refugjatëve përfshin integrimin e tyre në komunitet – nuk ka mënyrë më të mirë se sa Festa e Falenderimeve si pjesë e procesit të integrimit” tha ai.
Së bashku, këto familje, plot shpresë për të ardhmen, ndajnë bukë, si pjesë e një tradite amerikane.