Një grup protestuesish në Kumanovë u përpoqën të dielën ta pengojnë autokolonën e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti që të marrë pjesë në një takim me qytetarë të Kumanovës, në kuadër të fushatës parazgjedhore.
Disa protestues qëlluan me gurë makinat e zyrtarëve të BDI-së. Më herët, protestuesit kishin paralajmëruar z. Ahmeti që të mos shkonte në qytetin e tyre për shkak të dyshimeve që ata kanë eventualisht për përzierjen e tij në ngjarjet e përgjakshme të vitit të kaluar në Kumanovë.
Ndërkohë, BDI-ja i quajti protestuesit një grup të vogël provokuesish të dhunshëm, ndërsa i dënoi aktet e paligjshme kundër autokolonës së partisë.
“Ne shprehim keqardhje për përdorimin e turpshëm të dhimbjes së njerëzve nga disa grupe të reja politike të cilat duan të afirmohen nëpërmjet akteve të dëshpëruara”, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Demokratik për Integrim.