Lidhje

Prokuroria hetime për ILDKPI-në


Në Shqipëri prokuroria e Tiranës ka njoftuar nisjen e një hetimi ndaj Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Hetimi ndaj këtij institucioni ka nisur me nismën e vetë prokurorisë e cila sipas burimeve zyrtare “ka regjistruar procedimin penal kryesisht, për veprën penale “shpërdorim i detyrës” në bazë të indicjeve, si edhe informacioneve mediatike, sipas të cilave, ILDKPI-ja nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të konfliktit të interesave”. Burimet nga Prokuroria sjellin si shembull rastin e ish deputetit Koço Kokëdhima i cili u gjet fajtor nga Gjykata Kushtetuese dhe humbi mandatin pikërisht për shkak të konfliktit të interesit, ndërkohë që rasti i tij nuk ishte konstatuar nga ILDKPI-ja.

Prokuroria ka kërkuar të marrë të gjitha dosjet e zyrtarëve të lartë që nga fillimi vitit 2014, kur në krye të ILDKPI-së u zgjodh Shkëlqim Ganaj. Sipas burimeve, procedimi penal “për momentin është pa autor” dhe se vetëm pas verifikimit të dosjeve, nëse do të konstatohen raste të shpërdorimit të detyrës atëherë do të vendoset për personat përgjegjës.

Vendimi i Prokurorisë vjen në momentin kur ILDKPI-ja është një nga institucionet të cilat parashikohen nga Ligji për Rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të bërë pikërisht verifikimin e deklaratave të pasurisë së këtyre të fundit. Ligji për momentin është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit të Partisë Demokratike. Këtij ankimi i është bashkuar dhe Unioni i Gjyqtarëve. Ndërsa pak kohë më parë pati raportime mediatike se edhe mes radhëve të prokurorëve kishte nisur mbledhja e firmave për të kundërshtuar ligjin.

Po ashtu nuk është e qartë se përse hetimi i Prokurorisë është shtrirë vetëm në periudhën e drejtimit të këtij institucioni nga zoti Ganaj, dhe jo edhe për periudhat e mëparshme, ku gjithashtu, nuk ngjan të rezultojë se ka patur ndonjë fokus të vacantë në çështjet e konfliktit të interesit. Përgjatë vitit 2013 ILDKPI-ja u drejtua nga zonja Zana Xhuka, ndërsa deri në fund të 2012-ës nga kryeprokurori aktual Adriatik Llalla. Gjatë periudhës së drejtimit nga zoti Ganaj ka patur një fluks në rritje të kallzimeve që ky institucion ka bërë për nivele të ndryshme zyrtarësh, lidhur me pasuritë e tyre. Raporti i ILDKPI-së paraqitur në parlament pranverën e këtij viti bën dhe një përshkrim krahasues të aktivitetit ndër vite. “Gjatë praktikës institucionale 12-vjeçare të ILDKPKI, 2003-2014, janë depozituar, në mënyrë kumulative, rreth 57 kallëzime penale. Kallëzimet penale të dërguara pranë organit të Prokurorisë në vitet e fundit janë si vijon: në vitin 2012 për 6 zyrtarë; në vitin 2013 për 0 zyrtarë; në vitin 2014 për 74 zyrtarë; në vitin 2015 për 84 zyrtarë”, nënvizon raporti sipas të cilit “janë depozituar 47 kallëzime penale për zyrtarë të niveleve të larta drejtuese, si deputetë, ish ministër, anëtarë KLD-je, gjyqtarë të shkallës së parë dhe apelit, prokurorë, ambasadorë, këshilltarë, titullarë institucionesh publike, drejtues të qeverisjes vendore, ndër të cilët 21 gjatë vitit 2014 dhe 26 kallëzime penale gjatë vitit 2015. Kallëzimet penale të zyrtarëve të nivelit të lartë përkojnë me një shumë prej rreth 40 milion euro pasuri, e cila nuk rrjedh nga burime të ligjshme dhe është e pambuluar me dokumente justifikuese ligjore”.

Vetë drejtuesi i ILDKPI-së nuk i ka kursyer kritikat e fotrta dhe të hapura ndaj Prokurorisë e cila sipas “punon me standarte të dyfishta. Prokuroria – deklaroi në prill të 2015 zoti Ganaj në Komisionin parlamentar të Ligjeve - për statistikat e saj të fëlliqura, që të mos vijë këtu pa gjë fare, 25 raste i pushon dhe bën një në Kavajë a Ersekë a kudo…për statistika të fëlliqura nga prokurorë të korruptuar dhe të fëlliqur”.

Për nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e ILDKPI-së.

XS
SM
MD
LG