WikiLeaks ka publikuar një numër emailash të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton. Email-at e publikuara të premten përfshijnë transkripte të fjalimeve të saj për firmat e Wall Street-it.
Clinton njoftohet të ketë thënë se për çështje të politikave duhet një pozicion publik ashtu si edhe një pozicion privat. Clinton ka vuajtur gjatë fushatës nga perceptimi i shumë votuesve se ajo nuk është e besueshme.
Reince Priebus, kryetari i Komisionit Kombëtar Republikan, tha në një deklaratë se email-at tregojnë se “Hillary Clinton e ka shndërruar veten për fushatën e saj dhe është një mashtrim i plotë."
Email-at ishin mes qindra mesazheve që WikiLeaks publikoi nga ndërhyrja në llogarinë e John Podestës, kreut të fushatës Clinton. Fushata nuk ka konfirmuar vërtetësinë e mesazheve. Publikimi i tyre të premten vjen dy ditë para debatit të dytë presidencial me Clintonit dhe rivalit të saj republikan Donald Trump.
Kandidatja demokrate shpreh gjithashtu pakënaqësi që sistemi i fushatave presidenciale kërkon që kandidatët të grumbullojnë shuma të mëdha parash.
Bernie Sanders, rivali i zonjës Clinton në zgjedhjet paraprake, i kishte kërkuar asaj të publikonte fjalimet për Wall Street-in.
Clinton njoftohet se është paguar më shumë se 20 milionë dollarë për fjalimet e saj për një numër firmash.