Lidhje

Studentët shqiptarë mbi zgjedhjet presidenciale në Amerikë


Studentët shqiptarë mbi zgjedhjet presidenciale në Amerikë
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:18 0:00

Zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Amerikë kanë patur vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së kandidatëve të partive kryesore: zonjës Hillary Clinton dhe zotit Donald Trump. Po çfarë mendojnë të rinjtë rreth këtyre zgjedhjeve? Zëri i Amerikës bisedoi me tre studentë shqiptarë që frekuentojnë universitete në zonën e Uashingtonit rreth përshtypjeve të tyre rreth zgjedhjeve.

Studentët shqiptarë mbi zgjedhjet presidenciale në Amerikë
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:18 0:00

Dy kandidatët kryesorë të zgjedhjeve të 8 nëntorit, Hillary Clinton dhe Donald Trump, janë shumë ndryshe nga ç’ka është mësuar publiku amerikan.

Hillary Clinton hyri në histori si kandidatja e parë grua për presidente e një partie kryesore dhe me një histori të gjatë nën syrin e publikut.

Ndërsa kandidati republikan Donald Trump ka sjellë një frymë të re në fushatë me shprehjet e tij të pa kontrolluara, duke thënë se ai nuk është politikan, nuk i përket grupit tradicional të zyrtarëve të Uashingtonit dhe se është transparent me mendimet e tij.

E veçanta tjetër e këtyre zgjedhjeve është se të dy kandidatët, sipas anketave, janë ndër më të papëlqyerit në histori.

Po si i shikojnë të huajt, kryesisht të rinjtë, këto zgjedhje?

Zëri i Amerikës bisedoi me tre të rinj shqiptarë, që ndjekin studimet për gradën master këtu në Uashington. Ata janë studentë të huaj dhe nuk munden të votojnë, por po i ndjekin zhvillimet me interes,

Anyla Beqa është një studente në Universitetin Johns Hopkins.

Rreth zonjës Clinton, ajo thotë:

“Mendoj që i mungon një lloj karizme. Ndoshta po e krahasoj edhe me presidentin Obama. Ai e ka dhe ndoshta asaj i mungon pak ajo. Mirëpo pika e fortë e saj është fakti që ajo është femra e parë kandidate”.

Ndërsa rreth kandidatit Trump:

“Zotëri Trump, për mua, shumë shpesh largohet nga fokusi i tij. Programi i tij nuk më duket edhe aq real. Ai vjen me disa deklarata të ngutshme. Për shembull, po dëgjoja një fjalim të tij ku fliste për borxhin publik të Amerikës ku thonte se gjatë mandatit të tij si president do ta shlyejë këtë borxh. Nuk e di ekonomikisht sa sens ka kjo”.

Anyla thotë se arsyeja pse kandidatët nuk pëlqehen nga të rinjtë ka të bëjë me faktin se ata nuk janë marrë shumë me problemet që ndikojnë tek të rinjtë:

“Ndoshta fokusi i tyre qëndron në politika që jo direkt i prekin të rinjtë. Për shembull dëgjojmë vazhdimisht programet e tyre që përfshijnë programet shëndetsore, sigurimin shëndetsor këtu, pensionet, politikat dhe marrëdhëniet me jashtë; gjëra që ndoshta të rinjtë nuk i prekin direkt”.

Lina Zdruli, studion marrëdhënie ndërkombëtare për master në Universitetin Georgetown. Ajo pajtohet se kandidatët nuk kanë qenë të suksesshëm të lidhen me të rinjtë:

“Kandidatët politikë këtë vit nuk tregojnë se e kuptojnë rininë. Flasin për marrëdhëniet e Amerikës me shtetet e tjera, flasin shumë për gjëra që kanë të bëjnë me industrinë por nuk flasin për edukimin aq shumë, se si do sjellin këta njerëz nën moshën 30 vjeç brenda qeverisë”.

Lina thotë se këtu në Amerikë ajo ka vënë re se rinia është e paangazhuar:

“Tani, numër një që dëgjoj në Amerikë është që rinia, nuk ndjen që asnjë nga kandidatët e përfaqëson, rinia nuk është e interesuar”.

Për sa i përket politikës amerikane të tanishme:

“Këtë herë kam parë më pak seriozitet. Ka me të vërtetë ambiencën e një skene televizive: çfarë ka thënë kandidati i fundit, si është ndryshe me ç’tha më parë, në vend që të mendojmë në afat të gjatë, se çfarë do të bëjnë këta njerëz për këtë shtet”?

Arbër Kadriu është student në universitetin “American”. Arbri është edhe pjesë e shoqërisë civile në Kosovë, ku ishte drejtor ekzekutiv i organizatës Iniciativa për Progres, dhe është marrë edhe me nxitjen e angazhimit të votuesve. Ai ka vënë re ndryshime mes votuesve amerikanë, se çfarë vlerësojnë ata në një kandidat, në krahasim me eksperiencën e tij në Kosovë:

“Sidomos për mua si student prej Kosovës, është mjaft interesante të dëgjoj perspektivat se si ata e shohin një kandidat, dhe ç’ka vlerësojnë më shumë. Ndryshe prej nesh në Kosovë, që nganjëherë vlerësojmë më shumë kandidatët për nga aspektet personale të tyre, këtu më shumë vlerësohen politikat që promovohen nga kandidatët. Por po e vërej që me kandidatët e fundit, paksa janë duke marrë shembull edhe nga ne, duke i shikuar më shumë edhe nga perspektiva personale. Por besoj se do të jetë një test i madh për Amerikanët që, në aspektin personal, cili është më i përshtatshëm ose më e përshtatshme për president apo presidente”.

Kur ishte në Kosovë, Anyla thotë se nuk e kuptonte përse amerikanët mbështesin kandidatin Trump, por kuptoi se:

“Fillimisht ka qenë e vështirë nga Kosova, thjesht ta perceptoj pse votuesit amerikanë po e përkrahin realisht Donald Trump-in. Mirëpo tani që jam këtu, e shoh që Amerika është shumë më shumë se aq, se ç’ka ne mbërrijmë të perceptojmë nga Kosova. Ne e shohim Amerikën thjeshtë si Nju Jork, ose Uashington, ose San Francisko, dhe definitivisht ka më shumë se aq. Këto janë vendet metropolitane, mirëpo vendet jo metropolitane të Amerikës nuk kanë qasje dhe nuk komunikojnë mirë me politikën, qoftë nacionale të tyre ose edhe globale. Edhe mendoj se këta janë ata votues që po përkrahin Trump-in momentalisht”.

Për Zërin e Amerikës, Joana Allamani, Uashington.

XS
SM
MD
LG