Lidhje

Ndërron jetë Haxhi Selim Muça


Ish kreu i Komunitetit Mysliman vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Vlerësime të shumta për rolin dhe figurën e tij

Në Shqipëri ka ndërruar jetë sot Haxhi Selim Muça, një prej figurave më të rëndësishme të fesë Islame në vend. Haxhi Selimi ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh.

Në njoftimin për ndarjen e tij nga jeta, Komuniteti Mysliman, të cilin ai e drejtoi për 10 vite me radhë (2004-2014) e cilëson atë si “një prej drejtuesve më të spikatur të myslimanëve shqiptarë. Haxhi Selim Muça, do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi Komuniteti Mysliman shqiptar dhe punoi shumë për bashkësinë islame shqiptare. Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së Komuniteti Mysliman shqiptar në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve myslimanë”. Njoftimi thekson gjithashtu se “ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që i jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe të gjitha hapsirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan”.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi se “Selim Muça e udhëhoqi për shumë vite Komunitetin Musliman Shqiptar, me urtësinë e kthjelltësinë e një lideri të bute por të vendosur, në mbrojtjen e esencës paqësore të porosive të Profetit dhe të thesarit të bashkëjetesës harmonike mes feve në Shqipërinë tonë”. Ndërsa kryetari i Parlamentit Ilir Meta në një mesazh ngushëllimi shkruan se “Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri. Ai ka qenë një shembull për t’u kujtuar i punës, i fjalës dhe i besimit. Kohët e ndryshimeve të mëdha kanë nevojë për njerëz të mëdhenj. Haxhi Selim Muça ishte një njeri që madhështinë e gjente tek besimi dhe përkushtimi në besim”, nënvizon zoti Meta.

XS
SM
MD
LG