Kryeministri Edi Rama kërkoi sot me këmbëngulje në Bruksel që vendit të tij t’i rekomandohet hapja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian, tani që Reforma në Drejtësi është miratuuar e ka nisur dhe aprovimi I ligjeve mbështetëse
Kryeministri Rama mori sot pjesë në takimin e VIII të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, ku si rrallë herë palët përfaqësoheshin në nivelet më të larta. Përballë zoti Rama kishte Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerimin Johannes Hahn.
Zonja Mogherini u shpreh se “tani partitë politike kanë përgjegjësinë për të përshpejtuar implementimin e reformës në drejtësi, të cilën ata vetë e votuan në mënyrë unanime në Parlament, duke miratuar ligjet shoqëruese dhe duke nisur procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve”. Ndërsa komisioneri Hahn këmbënguli në rëndësinë e fazës së zbatimit të Reformës.
Kryeministri Rama nga ana e tij nënvizoi se ““nëse zbatimi i reformave kryesore dhe mbi të gjitha i reformës në drejtësi përbëjnë bazën solide për çeljen e negociatave, reforma që ka kaluar është baza solide për të marrë rekomandimin”, tha ai.
Por nga pala europiane duket se është herët për një përgjigje të prerë. Komisioneri Hahn u mjaftua të thotë se vendimi i parlamentit për Reformën do të përfshihet në Progres Raportin e kësaj vjeshte, ndërsa shtoi se tani zbatimi i Reformës duhet të çojë përpara drejtësisë “peshqit e mëdhenj”.
Në deklaratën e përbashkët në përfundim të Këshillit të Stabilizim Asocimit përveç vlerësimeve për miratimin e Refromës në Drejtësi dhe ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve “Këshili konfirmoi se Shqipëria ka ruajtur një ritëm përgjithësisht të qëndrueshëm në zbatimin e masave të reformave në administratën publike. BE-ja gjithashtu përshëndeti hapat e mëtejshëm të ndërmarrë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në çështjet e të drejtave të njeriut”. Deklarata vlerëson gjithashtu rolin e Shqipërisë në rajon. “BE-ja vlerësoi rolin e Shqipërisë si partner pro-aktiv dhe konstruktiv në rajon dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së saj për një angazhim pozitiv në Ballkanin Perëndimor përmes arritjes së marrëvshjeve dypalëshe dhe nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit rajonal. BE-ja ritheksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti rajonal janë elemente thelbësore të procesit të Stabilizim-Asociimit”. Po ashtu Shqipëria është përshëndetur dhe për “linjëzimin e plotë me vendimet e Këshillit të BE-së dhe në fushën e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë”.