Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha u prit të enjten në Uashington nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe të Euroazisë, Victoria Nuland.
Zoti Basha, i cili ndodhet në Uashington prej disa ditësh, ka patur disa takime me anëtarë të Kongresit amerikan.
Të enjten në mesditë ai ishte në ceremoninë e organizuar në ambasadën e Shqipërisë në Uashington me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
Të premten, kryetari i opozitës do të jetë i ftuar në studiot e Zërit e Amerikës për një intervistë, që do të transmetohet drejtpëdrejt në orën 18:00.
Zoti Basha pritet të shkojë edhe në Nju Jork, për takime me komunitetin shqiptar.