Të paktën 22 vetë kanë gjetur vdekjen në shpërthime auto-bombash në veri-lindje të Sirisë, njoftoi sot një organizatë joqeveritare. Sulmet ndërmerren ndërkohë që kanë filluar përpjekje të reja diplomatike për zgjidhjen e konfliktit sirian.
Bombat shpërthyen pranë një qendre shëndetësore dhe një tregu perimesh në qytetin Tel Tamer të kontrolluar nga forcat kurde, siç njofton organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Kjo organizatë me seli në Britani ka një numër kontaktesh në Siri dhe thotë se sulmet e mbrëmshme lanë dhjetëra të plagosur, ndërkohë që numri i viktimave pritet të rritet.
Tel Tameri kontrollohet nga forcat kurde, të cilat prej muajsh luftojnë me ekstremistët e ISIS në zonë, të mbështetur nga fushata ajrore e koalicionit ndërkombëtar, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.