Kryeministri Edi Rama u shpreh mbrëmë për herë të parë për debatin e lindur që prej shumë ditësh lidhur me “Lagunën Blu”, një nga komplekset e shumta turistike me shtëpi banimi në bregdet në zonën mes Durrësit dhe Kavajës, ku ka një përplasje me banorëve të atjeshëm dhe pronarit të Televizionit Klan Aleksandër Frangaj i cili ka nisur punimet për të ndërtuar një vile të re pikërisht në hapësirat që deri dje ishin fusha sportive të kompleksit.
I ftuar në emisionin Top Story, të Sokol Ballës në televizionin Top Channel, zoti Rama u shpreh se “nga pikëpamja e ligjshmërisë, aty nuk ka asnjë centim të shkeljes së ligji. Eshtë një ndërtim me plan të miratuar, me tokë private dhe me të gjitha dokumentet në rregull, pavarësisht se mund të themi çfarë të duam sesi është privatizuar dhe si është bërë plani, të gjitha këto janë bërë nga institucionet e shtetit dhe sot ne jemi shteti. Nuk kam dhënë leje, kjo është e vërteta”, u shpreh kryeministri i cili gjatë gjithë kësaj kohe është vënë nën akuzë për një qëndrim favorizues ndaj zotit Frangaj, pikërisht për shkak të faktit që ai zotëron një nga mediat më të rëndësishme në vend.
Në një ntervistë të dhënë pak ditë më parë për faqen online të emisionit Opinion të Blendi Fevziut në Tv Klan, këto argument janë renditur dhe nga vetë zoti Frangaj. “Prej shume vitesh kam blerë tek kompania “Epidam” një investim në kompleksin e ngritur prej saj, ambientet sportive. Më pas, me daljen e ligjit që detyronte të blinin truallin të gjithë disponuesit e objekteve te fshatrat turistike, të cilët kishin ndërruar destinacionin e përdorimit nga rezorte për zhvillim turizmi në shtepi të dyta pranë detit, edhe unë si gjithë banorët e tjerë kam blerë edhe tokën nga shteti, duke u bërë pronar i ligjshëm i investimit dhe i truallit. Kjo procedurë ligjore është aplikuar nga të gjithe banorët e këtij kompleksi si dhe të pothuaj të të gjithë fshatrave turistikë në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 2014, në përputhje me studimin urbanistik të Komunës Golem, kam aplikuar dhe kam marrë lejen për strukturë individuale banimi 1 dhe 2 kate nga Kryetari i Komunës Golem. Pra, investimin ia kam blerë pronarit të ligjshëm Epidam shpk, truallin ja kam blerë pronarit të ligjshëm -shtet, lejen e kam marrë pranë autoritetit të ligjshëm Komunë”, ka deklaruar zoti Frangaj.
Por vecanërisht banorët e kompleksit, të cilët kanë organizuar dhe protesta, kanë hedhur hije të forta dyshimi, thuajse ndaj të gjithë hapave të ndjekura nga zoti Frangaj, duke nisur që nga fakti i blerjes së “investimit-ambjente sportive” nga kompania Epidamn e cila kishte patur të drejtën e ndërtimit në atë zonë, dhe të përdorimit për 99 vite, por jo të drejtën e pronësisë. Ambientet sportive rezultojnë të jenë konsideruar si mjedise të përbashkëta të të gjithë banorëve. Më pas hije të forta ka patur edhe mbi mënyrën se si ai fitoi titullin e pronësisë, ku pas refuzimit të legalizimit nga Aluizni, Gjykata i ka dhënë të drejtë zotit Frangaj, pavarësisht se nuk ka patur asnjë objekt për t’u legalizuar, sepse nuk ka patur ndërtim që të hynte në ushtrimin e kompetencës së Aluizni-t. Me titullin e pronësisë nga Gjykata, zoti Frangaj ka marrë leje nga komuna. Kryeministri Edi Rama mohoi të ketë ndikuar në këtë vendim, ndonëse kryetari i komunës i përkiste partisë së tij.
Në intervistën e tij zoti Frangaj theksonte se “kryeministri nuk mund të shkelë ligjin kundër meje, se ka edhe prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronën time nuk e prekin dot”. Në një linjë me të, edhe kryeministri mbrëmë tha se nëse do të ndërhyhej për të bllokuar aktivitetin e zotit Frangaj, “është e sigurt se ai do të fitojë në gjykatë”, u shpreh zoti Rama.
I pyetur se përse dy vjet më parë ai nuk hezitoi të rrafshonte një pallat të tërë të ndërtuar nga të afërm të kryetarit të opozitës Lulzim Basha në bregdetin e Vlorës, i cili gjithashtu ishte ndërtuar po me leje të rregullta të lëshuara nga institucionet shtetërore, zoti Rama tha se të dy rastet nuk mund të krahasoheshin dhe se pallati në Vlorë ishte prishur pasi “pengonte realizimin e një plani zhvillimor në atë pjesë të bregdetit”.
Përgjatë tetë viteve të socialistëve në opozitës televizioni Klan mbajti një qëndrim shumë kritik ndaj tyre duke u rreshtuar haptazi me të djathtën e atëhershme në pushtet. Ndërkohë që tanimë raportet duket të përmbysura dhe pozicioni ndaj qeverisë aktuale socialiste është miqësor.