Lidhje

Shkrirja e akullnajave në Ande


Shkencëtarët po analizojnë disa mostra të disa copave të akullit të marra nga akullnaja më e madhe tropikale në botë për përcaktuar ndikimin e ndryshimeve klimatike. Akullnajat në Peru po shkrihen, duke rrezikuar burimet e ujit në shkretëtirën bregdetare ku jetojnë 70 përqind e popullsisë së Perusë. Kjo gjithashtu po vë në rrezik hidrocentralet dhe sigurinë ushqimore.

Një grup shkencëtarësh nga Universiteti Shtetëror i Ohajos po ngjiten në majë tëakullnajës Quelccaya në Andet e Perusë. Ata duan të masin efektet e ngrohjes globale tek akullnajat. Lartësia mesatare nga niveli i detit arrin deri në 5,470 metra.Kurora e akullnajes Quelccaya është më e madhja që mbulon tropikun në tokë. Akullnaja ka një rekord vjetor të mbulimit të sipërfaqes në 1800 vitet e fundit, thotë studiuesi i klimës, Dr. Lonnie Thomson. Ai ka studiuar për 35 vjet akullnajat në mbarë tropikun dhe thotë se në bazë të shpimeve, akullanajt tregojnë edhe historikun e ndryshimeve klimatike të botës.

“Do të vijë dita që nuk do ta kemi më këtë akullnajë dhe bashkë me të do të zhduket edhe historia që ruhet brenda saj. Ndaj po përpiqemi të nxjerrim historinë e të kaluarës tonë që fshihet në këtë akullnajë para se të zhduket ndërsa toka vazhdon të ngrohet më shumë.”

Bashkë me ekipin e tij, zoti Thonmpson kaloi një javë në qershor në akullnajën Quelccaya duke bërë shpime në akull, për të marrë mostra të akullit si dhe për matur izotopet në shtresat e vjetore të reshjeve.

Izotopet ofrojnë historikun e reshjeve duke u mundësuar gjeologjistëve që të analizojnë shtresat akullnajore gjatë shekujve të kaluar. Izotopet e oksigjenit, ose flluskat e ajrit të krijuara brenda një minute dhe të bllokuara në akull, ndryshojnë me ndryshimin e temperaturës duke i ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë ndryshimet klimatike në lashtësi.

“Përqëndrimi i izotopeve që do të masim do të jetë më i lartë se më parë. Duket se me kalimin e kohës akullnajat po tërhiqen ose shkrihen gjithnjë e më shumë. Kjo po ndodh për shkak të rritjes së temperaturave. Me rritjen e temperaturës rritet edhe përqëndrimi i izotopeve në akullnaja” , thotë studiuesja Roxable Sierra.

Shtresat pluhuri që bien gjatë stinëve, u mundësojnë atyre që të numërojnë vitet thuajse sikurse unazat apo rrathët në trungun e pemëve. Përbërja kimike e dëborës po ashtu mund të ndihmojë shkencëtarët të ndjekin efektet e ndotjeve nga njeriu, siç janë edhe përmbajtjet kimike dhe të metaleve në atmosferë.

“Nuk e dimë ende se sa mirë janë depozituar ndotësit në kurorën e akullnajës, por po përpiqemi ta masim këtë meqenëse kurora e akullit pritet të shkrihet dhe ndotësit pritet të çlirohen në mjedis dhe ne do të duam të përcaktojmë sasinë e ndotjes dhe të shohim se çfarë ndikimi mund të kenë ato tek shëndeti i njeriut”, thotë studiesja Emilie Beaudon.

Më pas, gjeologët në Ohajo do të analizojnë çdo shtresë të mostrave të akullit.

Këto foto të marra gjatë një periudhe 33 vjeçare, ilustrojnë shkrirjen e akullnajave. Aty shihet Akullnaja Qori Kalis, akullnajë lugine që është burim për Akullnajën Quelccaya. Sipas qendrës kombëtare për matjen e akullit dhe dëborës në Amerikë, akullnaja Qori Kalis është tërhequr me rreth 1.1 kilometra ose është shkrirë rreth 50 përqinde akullnajës së matur për herë të parë në vitin 1963.

Ndryshimet globale të klimës kërcënojnë zhdukjen e akullnajave tropikale në Ande brenda 20 viteve të ardhshme, duke rrezikuar burimet ujore, energjetike dhe ushqimore, thuhet në një raport të vitit 2009 nga Banka Botërore.

Tërheqja e akullnajave mund të shkatërrojë burimet e ujit të pishëm dhe bujqësinë në vendet e Andeve, thuhet në raport.

Peruja është ndër vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Në këtë vend të Andeve ndodhen 70 përqind e akullnajave tropikale të botës, të cilat kanë humbur më shumë se një të pestën e madhësisë së tyre në vetëm tre dekada.

Si rezultat i kësaj shkrirjeje masive, 300.000 njerëzit që jetojnë në lartësi do të përballen me vështirësi ndërkohë që bari dhe bimët fillojnë të thahen, cikli i mbjelljeve çrregullohet dhe valët e të ftohtit bëhen më të shpeshta dhe më të ashpra.

Lima është kryeqyteti i dytë më i madh në botë i ndërtuar në shkretëtirë, pas Kajros. 10 milionë banorët e saj varen nga uji i akullnajave për hidrocentrale dhe ujitje.

XS
SM
MD
LG