Evropianët po përpiqen për të përballuar zbarkimin e refugjatëve dhe migrantëve ose shpëtimin e tyre në ujrat e Mesdheut. Por epiqendra e kësaj krize humanitare është në Libi dhe vendet fqinje të Sirisë së shkatërruar nga lufta.
Dhe ka pak simpati për ankesat e Evropës se ajo është duke u rrënuar nga kjo valë refugjatësh.
Katër vitet e fundit, ndërsa në Siri bëhej luftë, Turqia, Jordania dhe Libani janë prekur më rëndë nga vërshimi ii refugjatëve. Me burimet e tyre të shterruara, këto tre vende po i bëjnë thirrje Perëndimit që t’ua lehtësojë barrën duke pranuar refugjatët sirianë.
Në korrik, disa javë para se fotografitë e një fëmije të vdekur sirian që u mbyt në det të shkaktonin një stuhi politike dhe mediatike në Perëndim, zyrtarët turq paralajmëruan se nuk ishin në gjendje për të përballuar njëfluks të ri refugjatësh. Ata paralajmëruan se Evropa do të ballafaqohej me numrin e sirianëve në rritje që përpiqen të arrijnë brigjet e saj në bordin e anijeve të kontrabandistëve.
Turqia ka strehuar në kampe rreth 2 milionë sirianë, dhe zyrtarët në Ankara besojnë se kriza e refugjatëve në Siri deri tani i ka kushtuar vendit 6 miliardë dollarë. BE-ja ka ofruar 63 milionë dollarë në ndihmë të refugjatëve në Turqi, por shumica e kësaj ndihme nuk është livruar.
Që nga marsi, kur Turqia vendosi kufizime kufitare ndaj sirianëve, shumë prej tyre kanë filluar të kalojnë nëpër tunelet të udhëhequr nga kontrabandistët.Ka pasur disa njoftime se ushtarët turq kanë hapur zjarr në drejtim të refugjatëve duke u përpjekur për të penguar hyrjen e tyre në Turqi.
Gjithashtu,ndihma ndërkombëtare për krizën e refugjatëve - më e rënda që prej Luftës së Dytë Botërore, sipas ekspertëve - ka rënë nën nivelin e domosdoshëm, sipasKombeve të Bashkuara.
Qeveritë nuk janë në gjendje për të përballuar gjendjen. Mungesa të mëdha financiare mund të shihen çdo ditë në krahinat kufitare turke Gaziantep, Kilis, Sanliurfa dhe Hatay, madje edhe më larg në veri deri në Stamboll. Gjithashtu, është shtuar numri i sirianëve që dalin për të lypur apo për punë të rastit, dhe ndikimi social - ekonomik i krizës së refugjatëve është i qartë - nga rritja e shkallës së krimeve deri në nevojat për strehim.