Lidhje

Kriza e plehrave në Liban


Pas mbylljes së një depoje të madhe plehrash kohët e fundit, rrugët e Bejrutit kanë filluar të mbushen me hedhurina. Përpjekjet e politikanëve për të hartuar një plan alternativë dështuan dhe problemi i plehrave është bërë më i rëndë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, John Owens njofton nga Bejruti.

Bejruti po mbulohet nga hedhurinat. Kohët e fundit plehrat kanë filluar të shtohen dhe vendi po përpiqet me vështirësi të gjejë zgjidhjen.

Deputeti nga Bejruti, Muhammed Kabbani thotë nga shtëpia e tij se njerëzit janë lodhur nga plehrat.

"Të gjithë janë të zemëruar. Kush mund të jetë i lumtur kur ka plehra në rrugë, erë të rëndë dhe rreziqe shëndetësore?"

Kriza u shkaktua nga ngjarjet në jug të kryeqytetit. E hapur në vitin 1997, depoja Naameh tani është mbushur me plehra më shumë se pesë herë se kapaciteti.

Mbyllja e saj është shtyrë herë pas here për shkak se nuk gjendet dot një depo tjetër. Banorët kanë bllokuar hyrjen e saj për të siguruar zbatimin e një marrëveshjeje të arritur më 17 korrik që kërkon mbylljen e saj. Ata kanë ngritur një kamp dhe po mbajnë të bllokuar hyrjen.

Depoja po shkatërron jetën e banorëve dhe ka shkaktuar kancerin, thotë aktivisti Ajwad Ayash, i cili kërkon një rishikim të politikës së plehrave në Liban.

"Këtu nuk ka depo, nuk ka furrë për djegien e plehrave. E vetmja zgjidhje është ripërdorimi dhe riciklimi i tyre".

Parlamenti është i përfshirë nga konflikti dhe përçarjet. Mungon zgjidhja afat-shkurtër ndërsa gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë duket tepër e largët.

Kompania e depozitimit të plehrave, Sukleen dhe politikanët fajësojnë njëri-tjetrin për problemin.

Ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një depoje të re, autoriteteve lokale u është kërkuar ta gjejnë vetë zgjidhjen.

Shtimi i erës së keqe është shenjë e një vendi të paralizuar, thotë Ramsi Salman, banor i Bejrutit.

"Që të jetosh në këtë vend duhet të injorosh të keqen dhe të shikosh të mirën. Por mund të injorosh të këqijat deri në një pikë sepse vjen një kohë që ato kutërbojnë dhe nuk mund të fshihen më".

Mbetet të shihet se për sa kohë banorët e Bejrutit do ta durojnë këtë gjendje.

XS
SM
MD
LG