Grekët po votojnë në referendum nëse do të pranojnë masat shtrënguese për një shpëtim financiar nga Bashkimi Evropian, që parashikon shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve. Qeveria greke i ka bërë thirrje popullit të votojë kundër, por zyrtarët e BE-së paralajmërojnë se kjo mund të çojë në daljen e Greqisë nga Eurozona.
Mes brohoritjeve të mbështetësve, Kryeministri Tsipras shkoi të hedhë votën e tij në një rrethinë të kryeqytetit. Në një ditë llogarish për Greqinë, ai përdori një ton optimist.
“Sot demokracia triumfon mbi frikën dhe shantazhin. Vendosmëria e njerëzve tanë e mposht propagandën e frikës. Jam i sigurtë se që nesër hapim rrugën për një rikthim në vlerat themelore të Evropës.”
Votuesit grekë duhet të zgjedhin mes garancive të kryeministrit se kjo është thjesht pjesë e një loje me Evropën, dhe paralajmërimeve nga Brukseli se një votë ‘jo’ mund të nxirrte Greqinë nga Euro.
Ndër radhët e votuesve, shumë shprehën frikën për pasojat nëse Greqia do të refuzonte ofertën e Evropës.
“Kam dy fëmijë të vegjël dhe unë jam e shqetësuar për të ardhmen e tyre. Megjithatë jam e gatshme të sakrifikoj më tej që Greqia ta kalojë krizën dhe të ketë një cilësi më të mirë jetese.”
Por, fushata ‘jo’ thotë se paralajmërimet e Brukselit për një dalje të Greqisë nga Eurozona janë thjesht një tjetër bllof.
“Vullneti demokratik i popujve të Evropës duhet të pranohet.”
Anketat tregojnë se grekët janë të ndarë mbi rrugën e së ardhmes për vendin e tyre. Por kjo votë jo vetëm që do të vendosë të ardhmen e Greqisë – por do të ketë jehonë në Evropë dhe më tej.