Të shtunën në Parkun Kombëtar të Uashingtonit u zhvilluan aktivitete të ndryshme, me rastin e Ditës së Tokës.
Në mitingun e rastit, ku marrin ku zakonisht marrin pjesë qindra mijëra vetë, pritet të flasin Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim dhe aktorët Don Cheadle dhe Chris Martin.
Në mbrëmje do të ketë edhe një koncert, ku do të interpretojnë këngëtarë dhe grupe muzikore, mes tyre Mary J. Blige, Fall Out Boy, No Doubt, Usher, Train, dhe My Morning Jacket.
Mitingu dhe koncerti përkojnë me takimet e pranverës të Bankës Botërore dhe të FMN-së dhe ato synojnë të theksojnë problemet e varfërisë dhe të ndryshimeve klimatike.
Dita e Tokës në fakt shënohet zyrtarisht të mërkurën, më 22 prill. Këtë vit mbushen 45 vjet nga fillimi i shënimit të kësaj dite ndërkombëtare.
Presidenti Barack Obama tha në fjalimin e tij të përjavshëm se “nuk ka rrezik më të madh ndaj planetit tonë, se sa ndryshime klimatike”.
Presidenti amerikan tha se do ta kalojë Ditën e Tokës në zonën Everglades, të Floridës, që ai e përshkroi si një nga vendet më të veçanta, por edhe më të brishta të Shteteve të Bashkuara.