Komisionari i Bashkimit Evropian për politikë të fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha të mekurën në Prishtinë se Bashkimi Evropian ka zotuar një miliardë euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturën e rajonit. Ai i bëri këto komente në konferencën ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Prishtinë, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Komisionari Hahn tha se vendet e rajonit do të mund të përfitojnë nga fondet evropiane nëse zhvillojnë projekte të përbashkëta të transportit rrugor dhe hekurudhor. Ai tha se mungesa e politikave të transportit do të çonte në izolim, kështu që vendet fqinje duhet t’i heqin pengesat për të rritur bashkëpunimin. Përveç lidhjeve rrugore e hekurudhore, Ballkani Perëndimor duhet të krijojë edhe politika ndërlidhëse, tha komisionari Hahn, duke nënvizuar se zhvillimi i politikave të përbashkëta në fushën e transportit dhe energjetikës nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikojë që ato të marrin edhe mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian.
“Po flasim për një miliardë euro nga programi i para anëtarësimit”, tha zoti Hahn, duke nënvizuar ndërkaq se për të përfituar nga këto fonde, vendet e rajonit duhet të zhvillojnë projekte të përbashkëta të standardeve evropiane. Ai tha se nëpërmjet projekteve të tilla do të sigurohet afrimi i njerëzve, zhvillimi ekonomik dhe çka është me e rëndësishmja të sigurohen vende pune.
“Bashkimi Evropian nuk është vetëm në anën tuaj, por është i përkushtuar për këtë lloj investimesh sepse e lidhin Ballkanin perëndimor me Evropën dhe është edhe ndihmesa e parë dhe shumë e rëndësishme për ardhmërinë e mëtejme evropiane dhe anëtarësimin në familjen e Bashkimit Evropian”, tha ai, duke paralajmëruar një takim tjetër të përfaqësuesve të rajonit para datës 21 prill, kur në Bruksel do të mbahet takimi i kryeministrave ku edhe pritet të nënshkruhet një marrëveshje nga e cila do të përfitojnë projektet ndërshtetërore që lidhin qytete e porte në rajon.
Ndërsa, mikpritësi i konferencës, zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i jashtëm, tha se Kosova është bërë tashmë një faktor bashkëpunimi e qëndrueshmërie në rajon. Ai tha se vet prania e ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç në konferencë, dëshmon për përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve.
“Ne kemi kaluar një kohë të gjatë së bashku duke bashkëpunuar në Bruksel për arritjen e marrëveshjes së paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Mendoj se është pjesëmarrja e sotme edhe e zotit Daçiç, është një kontribut shtesë për implementimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që kemi arritur. Gjithashtu është një zotim i ri për Kosovën dhe Serbinë evropiane dhe gjithë rajonin evropian”, tha zoti Thaçi
Ndërsa, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç tha se çështjet historike dhe problemet nga e kaluara, nuk do të duhej të pengonin zhvillimin e projekteve për të ardhmen, siç janë ato që u diskutuan në konferencën e së mërkurës në Prishtinë. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për ndërtimin e autostradës që lidhë Prishtinën më qytetin e Nishit në jug të Serbisë dhe shpresojnë që ndërtimi i saj të financohet nga Bashkimi Evropian.
Takim i së mërkurës pason konferencën e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit. Në konferencën e Berlinit në gusht të vitit të kaluar, i është kërkuar Bashkimit Evropian një ndarje më e favorshme e fondeve të tij për rajonin. Konferenca ishte vlerësuar si një përpjekje për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit evropian të rajonit, edhe nëpërmjet zhvillimit më të shpejtë ekonomik të tij.