Mbi 300 qeveri, fondacione dhe biznese në gjithë botën janë përfshirë në një nismë të Kombeve të Bashkuara për të përmirësuar kujdesin shëndetësor për miliona gra dhe fëmijë të varfër. Lëvizja “Çdo grua, çdo fëmijë” njofton se si rezultat, vdekshmëria e nënave dhe fëmijëve ka rënë në të gjitha vendet e përfshirë në iniciativë.
“Çdo grua, çdo fëmijë” është një nismë që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e ndërmori në vitin 2010 për të përshpejtuar përparimin drejt realizimit të Objektivave të Mijëvjeçarit për Zhvillim për shëndetin.
Menaxherja e lëvizjes, Nana Kuo thotë se ajo është kthyer në partneritetin global publik me rritjen më të shpejtë në histori.
“Sipas përllogaritjeve, që nga viti 2010 është shpëtuar jeta e 2.4 milionë grave dhe fëmijëve. Kjo përbën 40 për qind e jetës së atyre që mund të ishin shpëtuar nëse Objektivat e Mijëvjeçarit për shëndetin do të realizohen deri në fund të vitit 2015. Mes këtyre 2.4 milion vetëve, 120 mijë ishin gra, 650 mijë foshnja dhe 1.6 milionë fëmijë nën 5 vjeç”.
Zonja Kuo thotë se nismat për uljen e vdekshshmërisë mes të sapolindurve, planifikimi familjar, përmirësimi i shëndetit të adoleshentëve dhe ilaçet që shpëtojnë jetë janë përqendruar në 49 vende me nivel të ulët të ardhurash dhe se në të gjitha këto vende është shënuar përmirësim.
Rezultatet inkurajuese vijnë nga nivele historike mbështetjeje politike dhe financiare që u rritën me 25 për qind gjatë pesë viteve të fundit. Vende të varfra dhe të pasura, fondacione private, biznese, anëtarë të shoqërisë civile dhe vetë Kombet e Bashkuara kanë premtuar të japin 60 miliardë dollarë nga të cilat afro dy të tretat janë akorduar tashmë.
Zonja Kuo thotë se shumë nga vdekjet mes nënave dhe fëmijëve janë të parandalueshme me zgjidhje që janë të përballueshme dhe të thjeshta, duke ngjallur shpresë se këto objektiva janë të realizueshme.
“Sot po shohim uljen më të madhe në vdekshmërinë e nënave dhe fëmijëve me pothuajse 6.4 milionë më pak vdekje mes fëmijëve dhe pothuajse përgjysmim të vdekjes tek nënat që nga viti 1990”.
Por zonja Kuo thotë se objektivat nuk janë realizuar ende plotësisht dhe duhet ende punë për ta vazhduar këtë përparim dhe për ta përshpejtuar atë drejt synimit përfundimtar të zhdukjes së të gjitha vdekjeve të parandalueshme të nënave dhe fëmijëve brenda një brezi.