Lidhje

Afganistani nënshkruan Marrëveshjen Bilaterale të Sigurisë


Afganistani ka nënshkruar marrëveshjen shumë të vonuar të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n që autorizon praninë e një force të vogël ushtarake ndërkombëtare në vend pas fundit të vitit.

Vetëm një ditë pas marrjes së detyrës, Presidenti afgan Ashraf Ghani nënshkroi atë që ish-presidenti Hamid Karzai nuk e bëri: marrëveshjen e re dypalëshe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Marrëveshja Dypalëshe e Sigurisë me Shtetet e Bashkuara lejon amerikanët të këshillojnë, trajnojnë dhe financojnë Forcën afgane të Sigurisë Kombëtare ndërkohë që ajo vazhdon të luftojë talebanët.

Zëdhënësi i Pentagonit, Admirali John Kirby thotë se ai është i bindur se trupat afgane po bëjnë përparime të mëdha.

"Shikoni arritjet që ata bënë vetëm këtë vit. Ata u kujdesën për sigurinë në dy zgjedhje kombëtare. Nuk ka dyshim se ata i kanë vënë talebanët në pozita mbrojtëse".

Por zyrtarët e pranojnë se forcat e sigurisë në vend u ndeshën me vështirësi gjatë kësaj vere ndërkohë që Afganistani përpiqej të zgjidhte krizën e gjatë politike.

"Ka ende shumë punë për të bërë, dhe për këtë arsye ne jemi të kënaqur që tani u nënshkrua Marrëveshja Bilaterale e Sigurisë në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë me këshillimin, trajnimin dhe misionin ndihmues vitin e ardhshëm".

Ambasadori i Afganistanit në Pakistan i tha Zërit të Amerikës se marrëveshjet me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n janë një hap "i rëndësishëm" në rrugën drejt sigurisë dhe stabilitetit ekonomik.

"Por, për të arritur në atë fazë ne do të kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë, dhe këto dy marrëveshje e sigurojnë bazën ligjore".

Duke marrë parasysh intensifikimin e luftës kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, analistët thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes Bilaterale të Sigurisë nga Presidenti Ghani do të ndihmojë që Afganistani të mbetet në radarin e Uashingtonit.

"Unë mendoj se është e rëndësishme që presidenti i ri të vijë së shpejti në Uashington dhe të bëjë një përfaqësim të ri të Afganistanit para komunitetit ndërkombëtar dhe Shteteve të Bashkuara në veçanti, një përfaqësim tjetër nga ai i ish presidentit Karzai, për të ndihmuar në rindërtimin e marrëdhënieve që janë dëmtuar rëndë në vitet e fundit".

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar trupa në Afganistan që nga viti 2001. Marrëveshja Dypalëshe e Sigurisë zgjat praninë e tyre deri në vitin 2024, 23 vjet pasi trupat e para tokësore amerikane hynë në vend.

XS
SM
MD
LG