Lidhje

SHBA, thirrje Kinës të tregojë përmbajtje në Hong Kong


Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Kinës të ushtrojë përmbajtje në Hong Kong, ku mijëra protestuesë pro-demokracisë po shprehin pakënaqësit e tyre në rrugë. Protestuesit janë të zemëruar nga vendimi i Pekinit për të miratuar vetëm kandidatët që marrin miratimin e tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e udhëheqjes së Hong Kongut në vitin 2017.

Policia në Hong Kong ka përdorë gaz lotsjellës në përpjekjet për të shpërndarë mijëra protestuesë pro-demokracisë që kanë bllokuar distriktin financiar të qytetit duke sfiduar paralajmërimet e qeverisë për t’u larguar nga kjo zonë.

Qeveria kineze thotë se protestat janë të paligjshme.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje të dyja palëve që të jenë të kujdesshme.

"Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje autoriteteve në Hong Kong që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe protestuesve që të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore".

Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në mbështetjen e tyre për votuesit në Hong Kong në zgjedhjet e ardhshme.

"Ne vazhdimisht kemi shprehur mbështetjen tonë për të drejtën e universale të popullit të Republikës Popullore të Kinës për të votuar dhe për aspiratat e popullit të Hong Kongut dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë".

Edhe zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjen e votuesve të Hong Kongut për të patur rol në zgjedhjen e kandidatëve për udhëheqës të provincës.

"Ne besojmë se e drejta universale për të votuar dhe mundësia e popullit të Hong Kongut për të zgjedhur kandidatët është një gjë që ata duhet ta kenë. Ky është një shqetësim që ia kemi shprehur drejtpërdrejt Kinës".

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes nëse presidenti Barack Obama do të ngrejë çështjen e protestave në Hong Kong në vizitën që ai do të bëjë në Pekin në nëntor, por, tha se presidenti do të theksojë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave themelore universale të njeriut.

XS
SM
MD
LG