Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot në një konferencë për shtyp se militantët e Hamasit në Gaza po kryejnë krime lufte, duke vënë në shënjestër miliona civilë izraelitë me raketa dhe duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore. Izraeli ka vënë ndërkohë në shënjestër zyrtarët e Hamasit ndërkohë që ushtria vazhdon fushatën ajrore në Rripin e Gazës.
Aeroplanët luftarakë goditën disa objektiva sot herët në mëngjes, përfshi shtëpinë e zyrtarit të lartë të Hamasit, Mahmoud Zahar. Ushtria paralajmëroi dhjetëra mijëra banorë në Gazën veriore që të largohen nga shtëpitë deri në një njoftim të dytë. Ja çfarë thotë një refugjat palestinez:
“Po çmendemi, e gjithë familja ka qarë gjatë natës. Bebet, gratë dhe të gjithë qajnë. Nuk mund ta përballojmë më këtë situatë të tmerrshme. Për hir të Zotit jepini fund këtij konflikti. Nuk e di kush janë më të këqinj, hebrejtë apo arabët.”
Një fletushkë nga Forcat Izraelite të Mbrojtjes thotë se ata që nuk largohen “rrezikojnë jetën e tyre dhe të familjeve”. Zyrtarët e Hamasit u thanë njerëzve që të mos e përfillin paralajmërimin, duke thënë se Izraeli po përdor “luftë psikologjike”.
Sulmet e sotme ajrore kanë vrarë të paktën tre njerëz dhe shkaktuar dëme në disa zona, përfshi një spital rehabilitimi. Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, shprehu shqetësim rreth civilëve të vrarë apo plagosur.
“Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet. Është një e drejtë për të cilën kemi folur dhe e kemi mbrojtur në shumë raste. Ajo që do t’i kërkonim Izraelit është që të tregojë kujdes për sigurinë dhe mirëqënien e civilëve të pafajshëm që rrezikohen nga shkëmbimet e zjarrit.”
Ushtria izraelite e ndali zjarrin për gjashtë orë pasi u pajtua me një propozim për armëpushim. Por rifilloi veprimet pasi militantët në Gaza qëlluan Izraelin me rreth 50 raketa. Izraeli thotë se dje nga Gaza u lëshuan 155 raketa. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se që nga fillimi i operacioneve izraelite për t'u dhënë fund sulmeve me raketa nga Hamasi javën e kaluar janë vrarë 204 njerëz. Gjatë operacioneve është vrarë vetëm një izraelit.
Një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmoud Abbas tha se ai do të shkonte sot në Egjipt për takime me presidentin Abdel Fattah el-Sissi për të diskutuar se si mund të zbatohet armëpushimi i propozuar nga Egjipti i cili nuk arriti të hynte në fuqi. Lëvizja Fattah e udhëhequr nga zoti Abbas iu bashkua Hamasit në një qeveri të unitetit plaestinez muajin e kaluar, duke bashkuar kështu subjektet që qeverisnin veç e veç Bregun Perëndimor dhe Gazën.