Lidhje

Gjermania në kërkim të shpjegimeve


Ministria e Jashtme gjermane thotë se i ka kërkuar Britanisë të komentojë rreth njoftimeve të shtypit se ambasada britanike në Berlin është përdorur si një mjedis nga ku kryheshin veprimtari spiunazhi.

Një njoftim i ministrisë së Jashtme thotë se ministri gjerman Guido Westerwelle ka ftuar ambasadorin britanik për të dhënë një shpjegim të njoftimeve të publikuara në mediat britanike.

Në deklaratë, ministria e Jashtme thekson se aktiviteti i spiunazhit i zhvilluar nga godinat diplomatike do të ishte kundër ligjit ndërkombëtar.
Një zëdhënës i qeverisë britanike konfirmoi takimin, por nuk dha detaje mbi përmbajtjen e bisedës.

Ftesa e ministrisë së jashtme është një lëvizje diplomatike më pak serioze se sa thirrja e ambasadorit.

Raporti, i botuar të martën në gazetën britanike Independent, tha se qendra e përgjimit e Britanisë ka përdorur pajisje të teknologjisë së lartë në çatinë e ambasadës në Berlin për përgjime.

Raporti është bazuar në dokumentet e nxjerra nga ish-kontraktori amerikan i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Edward Snowden.
XS
SM
MD
LG