Lidhje

Trashëgimia e Lojrave Olimpike


Qyteti i Londrës po shënon përvjetorin e parë të Lojrave Olimpike të mbajtura atje, të cilat u konsideruan shumë të suksesshme. Zyrtarët thonë se përfitimet e premtuara afatgjata nga lojrat po shihen. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin shumë njerëz që banojnë afër Parkut Olimpik ende po presin të shohin përfitimet.

Duket sikur ishte shumë kohë më parë kur njerëzit u grumbulluan në Parkun Olimpik, të veshur me ngjyrat kombëtare dhe të gatshëm për të brohoritur për sportistët e tyre të preferuar.

Tani, mbahen disa aktivitete në këtë park, por stadiumi dhe kulla ikonë qëndrojnë më shumë të heshtur prapa shtëpive në lagjen Stratford. Është ndërtuar një qendër e re dyqanesh, por rruga High Street që ndodhet afër, duket gati po ashtu siç dukej para Lojrave Olimpike.

Steve ka jetuar në këtë zonë për 20 vite.

“Më parë ishte vend në ndërtim. Pastaj gjatë lojrave ishte si një park për festa. Dhe kur ikën të gjithë, ishte sikur cirku kishte braktisur qytetin.”

Ndërtimi i shtëpive të reja dhe të shtrenjta nuk i ka bërë përshtypje shumë banorëve lokalë, të cilët janë të zhgënjyer në lidhje me trashëgiminë e premtuar të Olimpiadës.

“Janë krijuar shumë të ardhura, por ai ishte një rast. Pra, në planin afatgjatë, unë nuk mendoj se kjo zonë përfitoi”, thotë Maria.

“Ka sjellë shumë vende pune, por të shohim se si do të jetë gjendja pas 5 ose 10 vitesh.”

Ai ka të drejtë, sipas profesorit Allan Brimicombe i Universitetit East London, i cili ka studiuar “efektin olimpik” për disa vite.

“Do të vijë por nuk do të jetë e menjëhershme. Dhe ato lloje përfitimesh rriten gradualisht. Përgjegjësia është e politikanëve, të sigurohen se përfitimet nga kjo të merren me të vërtetë” , thotë Frances.

Një nga politikanët kryesorë me atë përgjegjësi është kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson. Ai thotë se qyteti ka filluar të përfitojë nga Lojrat Olimpike.

“Mendoj se pjesërisht është për shkak të Lojrave Olimpike dhe Paralimpike që ne po shohim atë që unë mendoj është një rritje e padiskutueshme mirëbesimi dhe optimizmi rreth investimit në Londër.”

Zyrtarët thonë se ka patur mbi 15 miliardë dollarë investime që kanë krijuar vende pune, të lidhuru direkt me Lojrat Olimpike, dhe më shumë do të pasojnë.

Dhe nuk do të ishte e drejtë të thonim se të gjithë në lagjen ku u mbajtën Lojrat janë skeptikë.

“Do të thoja se është një ndikim pozitiv, sepse sikur e zhvilloi zonën.

“Është mirë për të gjithë, thjeshtë fantastike.”

Për disa, aureola e Olimpiadës mbetet ndërsa ata presin përfitimet e premtuara nga organizuesit dhe politikanët.
XS
SM
MD
LG