Lidhje

Përfundojnë pa marrëveshje bisedimet Kosovë – Serbi


Nga takimet e mëhershme
Nga takimet e mëhershme

Takimi i sotëm ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç përfunduan pa ndonjë marrëveshje takimin e 14-të me radhë në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në një komunikatë për opinion të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton thuhet se të dy kryeministrat diskutuan përgatitjet për zgjedhjet komunale të tre nëntorit në Kosovë. “Ata janë pajtuar se duhet të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete për të siguruar pjesëmarrje të mirë në këto zgjedhje. Puna në zbatimin e marrëveshjes do të vazhdojë në javët që vijnë me ritmin e njëjtë”, thuhet në deklaratë në të cilën nuk janë dhënë hollësi të tjera.



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit se “ai është zhvilluar në një frymë të mirë, por sa i përket telekomunikacionit dhe energjetikës, nuk është arritur ndonjë marrëveshje përfundimtare. Në ditët që vijnë pritet të sqarohen edhe disa çështje”.

Po sot në Bruksel Oda Ekonomike e Kosovës dhe ajo e Serbisë, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në mes tyre. Drejtuesit e të dy Odave thanë se janë pajtuar për themelimin e një organi të përbashkët për identifikimin e pengesave të tregtisë dhe gjetjen e mënyrave për përmirësimin e mjedisit afarist. Marrëveshja është pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Zbatimi i marrëveshjes është kusht për përparimin e të dyja palëve drejt strukturave evropiane. Marrëveshja i mundësoi Kosovës hapjen e negociatave për stabilizim asocim ndërsa Serbisë ato për anëtarësim në Bashkimin Evropian në muajin janar të vitit që po vjen. Por, data e saktë e fillimit të tyre do të përcaktohet pas vlerësimeve të zbatimit të marrëveshjes në terren.
XS
SM
MD
LG