Lidhje

Gjallesat në sipërfaqen e tokës dhe ndryshimi i klimës


Diskutimet mbi mbrojtjen e mjedisit dhe ngadalësimin e ndryshimit të klimës zakonisht përqëndrohen tek ajri dhe uji. Por fituesja e çmimit prestigjioz të ambjentalizmit “Tyler” për këtë vit thotë se duhet gjithashtu të fokusohemi tek sipërfaqja e tokës dhe tek krijesat e vogla që jetojnë në të.

Biologia Diana Wall udhëtoi deri në skajet e tokës – në shkretëtirën e Antarktikës, që duket e pajetë – për të studiuar gjallesat në të.

"Ajo që gjallesat e tokës bëjnë për ne, është fakti që na ofrojnë shumë përfitime, për të cilat ne nuk mendojmë gjatë. Besoj që gjëja që i habit më shumë njerëzit në lidhje me tokën është kur marrin një grusht prej saj dhe mësojnë se aty ndodhen shumë gjallesa të cilat kanë evoluar me kalimin e kohës. Aty ndodhen zinxhire ushqimore, ka vazhdimisht ndërveprime që ndodhin brenda sekondave, për të transformuar ato që ne njohim si gjërat mbi sipërfaqen e tokës."

Studimi i këtyre ndërveprimeve nga ana e saj, gjatë dy dekadave të fundit, është përqëndruar tek efekti që ky ekosistem kompleks dhe i brishtë ka për klimën dhe biodiversitetin. Javën e kaluar, puna originale e biologes Diana Wall në këtë fushë u nderua me Çmimin e Mjedisit Tyler për vitin 2013, një nga vlerësimet më të larta ndërkombëtare për ambjentalizmin.

Studiuesja e Universitetit Shtetëror të Kolorados thekson se toka nën këmbët tona nuk është vetëm baltë.

"Të gjitha këto organizma në tokë janë duke na ofruar gjëra si pjelloria e tokës, më shumë ushqyes për rritjen e bimëve apo bëjnë të mundur lloje të ndryshme kontrollesh mbi parazitët e bimëve. Një gjë tjetër është se gjallesat e tokës ndihmojnë për të pastruar ajrin dhe ujin."

Biologia Wall thotë se tani shkencëtarët kanë filluar të mendojnë për mënyrën se si kjo “jetë e fshehur në tokë” ndikon në sigurinë e ushqimit dhe në sasitë e dioksidit të karbonit të çliruar.

"Organizmat në tokë marrin frymë dhe çlirojnë e depozitojnë dioksid karboni, si dhe depozitojnë lloje të tjera karboni. Nëse prishim atë cikël, atëherë do të kemi më shumë CO2 në atmosferë, dhe do të kemi ndryshim më të madh të klimës, që ndikon tek tokat. Pra kemi ndërveprime të ngushta mes organizmave të tokës dhe atmosferës."

Studiuesja e quan shumëllojshmërinë e gjallesave në ekosistemin e tokës "hallka që mungon" në përpjekjet tona për të mbrojtur mjedisin e globit.

"Ndryshimi i klimës, për shembull, Konventa për Luftën ndaj Ndryshimit të Klimës, por dhe ndaj krijimit të shkretëtirave, humbjes së biodiversitetit... të gjitha këto gjëra janë të ndërthurura, dhe ndërsa bëjmë përparime, ne duhet të mendojmë dhe rreth mënyrës se si të kujdesemi për sipërfaqen e tokave dhe për gjallesat në to, pasi kështu mund të kujdesemi për veten tonë."
Tokat e shëndetshme, thotë Diana Wall, janë jetike jo vetëm për të arritur një bujqësi më të qëndrueshme, por edhe për të ngadalësuar ndryshimin e klimës globale – një përpjekje për të cilën kemi të gjithë interes.

XS
SM
MD
LG