Lidhje

100-vjetori, rast për të vlerësuar arritjet


albania anniversary
albania anniversary

Prof. Nikolla Pano flet në prag të përvjetorit të madh të shqiptarëve

Historiani shqiptaro-amerikan Nikolla Pano gjithmonë i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe ka kontribuar në trajtimin akademik të çështjes shqiptare për vite me radhë. Në një intervistë me kolegen Keida Kostreci, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, profesor Pano vlerëson arritjet e vendit përballë pengesave të mëdha historike dhe përmend disa nga sfidat që duhet të kapërcehen.

Duke i hedhur një vështrim historisë së Shqipërisë, profesor Pano thekson rëndësinë e këtij momenti për Shqipërinë.

“Mendoj se në një rast si 100 vjetori i vendit është e vlefshme të kthejmë vështrimin pas dhe të shikojmë përparimin që është bërë në Shqipëri, pavarësisht nga Lufta e Dytë Botërore, pavarësisht nga periudha e gjatë e komunizmit, ku megjithë disa arritje në disa drejtime të jetës së vendit, problemet tepër serioze sollën sfida shumë, shumë të vështira që qeveritë e Shqipërisë që nga viti 1991 janë përpjekur t’i zgjidhin”.

Mes këtyre sfidave, Profesor Pano përmend përparimin që duhet bërë në reformimin e institucioneve dhe sidomos në fushën e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit, përmirësimit të gjendjes ekonomike dhe të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit, të drejtat e grave dhe të shtresave më të mënjanuara të shoqërisë. Ai thotë se Shqipëria ka një sërë provash përpara.

“Kemi përpara zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm. Këto zgjedhje do të ndiqen me shumë vëmendje dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara, si edhe miq të tjerë të Shqipërisë, presin të shohin përmirësime të dukshme dhe reale në procesin zgjedhor”.

Duke folur për rolin amerikan në mbështetje të Shqipërisë, profesor Pano thekson se Shtetet e Bashkuara gjithmonë u kanë qenë pranë shqiptarëve që kur Presidenti Woodrow Wilson nuk lejoi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë në periudhën e Konferencës së Paqes në Paris në vitet 1919-1920.

“Shtetet e Bashkuara ndihmuan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar hapat për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në krye të përpjekjeve për të konsoliduar institucionet që Shqipëria po ndërton, për të forcuar shtetin demokratik, ekonominë e tregut të lirë, si edhe përmirësimin e kushteve sociale për popullsinë”.

Profesor Pano thotë se mbështetja amerikane për shqiptarët vazhdoi më tej kur Shtetet e Bashkuara u bënë faktori kryesor në zhvillimet që i paraprinë deklaratës së pavarësisë së shtetit të Kosovës.

“Ashtu si me Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për ta bërë Kosovën një shtet funksional, përfaqësues dhe demokratik me institucione të forta”.

Dhe në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, profesori shqiptaro-amerikan përcjell urimin e tij për popullin shqiptar:

“I uroj popullit të Shqipërisë sukses në përpjekjet e tyre për të modernizuar dhe për ta zhvilluar më tej vendin, e uroj popullin shqiptar për sukseset që kanë arritur. Gëzohem kur shoh patriotizmin e popullit shqiptar që ndonëse shanset për të kundërtën ishin të mëdha, ai arriti të ruajë pavarësinë dhe tërësinë territoriale dhe të zërë vendin e vet në komunitetin evropian, anëtar i të cilit është me të drejtë”, përfundon zoti Pano.
XS
SM
MD
LG