Lidhje

Kosovë: Debatohet forcimi i luftës kundër trafikut njerëzor


Papunësia dhe kushtet ekonomike shkaktarë kryesor të fenomenit

Gjatë katër viteve të fundit, disa qindra viktima të trafikimit dhe dhunës familjare janë trajtuar në kuadër të “Programit për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë”, i financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtarë. Përmbyllja e këtij programi po shënohet në Prishtinë me debate rreth forcimit të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe dhunës në baza gjinore në Kosovë. Në kuadër të debateve u tha se nëpërmjet këtij projekti janë trajtuar mbi 630 raste, në mesin e të cilave mbi 100 viktima të trafikimit dhe afro 500 raste te dhunës ne familje dhe forma tjera te dhunës dhe shfrytëzimit.Zëvendësministri i punëve të brendshme Sasha Rashiç, njëherësh bashkërendues kombëtar për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, e vlerësoi lartë mbështetjen e agjencisë amerikane dhe u zotua për vazhdim të forcimit të luftës kundër kësaj dukurie.
Ne vitin e kaluar hartuam strategjinë dhe planin e veprimit për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore ndërsa kemi filluar edhe ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me ketë dukuri dhe çdo ditë synojmë së mekanizmat të jenë sa më profesional në këtë luftë”, tha zëvendësministri Rashic, sipas të cilit vendi vazhdon të përballet me sfida në këtë fushë.

Ndërkaq, drejtoresha e zyrës për demokraci dhe qeverisje në Misionin e USAID-it në Kosovë, Tanya Urquieta, tha se programi synonte të mbështesë luftën kundër njërës prej formave më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Viktimat janë pjesëtarët më të lëndueshëm të shoqërisë, në radhë të parë gratë dhe fëmijët që janë mashtruar, blerë dhe shitur kundër vullnetit të tyre”, tha ajo duke nënvizuar se organizata e saj ka mbështetur mes tjerash, ngritjen e strehimoreve për viktimat e trafikimit dhe duke forcuar mundësitë për ofrim të shërbimeve për viktimat.
Ndërkaq Roberto Cancel, nga Organizata Ndërkombëtarë për migrim, që ishte zbatuese e programit tha se Kosova ka ende mjaft sfida në luftën kundër trafikimit.

Papunësia mbetet një nga nxitësit më të mëdhenj të migrimit të brendshëm që i bënë njerëzit të lëndueshëm përballë kësaj forme të shfrytëzimit”, tha ai, duke nënvizuar se krahas forcimit të luftës kundër kësaj dukurie, kërkohet edhe punë për ndërgjegjësimin e popullsisë për këtë dukuri.
Ramadan Ahmeti shef i njësisë së hetimeve në drejtorinë kundër trafikimit me qenie njerëzore tha se krahasuar me të kaluarën, ka një shtim të arritjeve në luftën kundër kësaj dukurie.

Vetëm në këtë gjashtëmujor i kemi 135 të arrestuar në total, krahasuar me vitin e kaluar kur gjatë gjithë vitit kanë qenë 183 të arrestuar. Gjithashtu, edhe në çështjen e identifikimit të viktimave të trafikimit, vitin e kaluar kanë qenë 39 viktima, ndërsa këtë vit i kemi 30 vetëm këtë gjashtëmujor”.

Por, zoti Ahmeti thotë se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore është më e vështirë sesa tek trafiqet tjera. “Për shkak se dallon hetimi i rasteve të trafikimit me njerëz me hetimin e rasteve të drogave apo kontrabandimit me armë apo të ngjashme. Nëse droga identifikohet është më lehtë, nuk ka nevojë të pyetet. Ndërsa në rastet tona kemi të bëjmë me njerëz. Shpeshherë ndodhë që nuk e pranojnë se janë viktima të trafikimit. Ose, ndodhë që e pranojnë, por pastaj e mohojnë. Është një procedurë që shkakton kokëçarje dhe mund”.

Në fund të muajit maj, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian filluan dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit në të cilin u nënvizua rëndësia e përmirësimit të mundësive të Kosovës për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht në mënyrë efektive rastet e krimit të organizuar ndër-kufitar, sidomos trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore.
XS
SM
MD
LG