Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i bëri thirrje Arabisë Saudite të premten për të zbuluar vendndodhjen e trupit të gazetarit të vrarë Saudit Jamal Khashoggi dhe identifikimin e "bashkëpunëtorit lokal", i cili thuhet se e fshehu trupin e Kashoggit pasiai u vra në konsullatën saudite.
Duke folur për anëtarët e Partisë AK në parlament, zoti Erdogan tha se Ankaraja ka prova të tjera lidhur me vrasjen e gazetarit, por nuk dha hollësi. Ai tha gjithashtu se kryeprokurori i Arabisë Saudite do të vizitojë Stambollin të dielën dhe do të takohet me zyrtarët turq, si pjesë e hetimit për vrasjen e gazetarit.
Arabia Saudite pranoi në një deklaratë të enjten se vrasja e gazetarit Khashoggi duket të ishte e paramenduar, në bazë të provave të siguruara nga Turqia. Ajo që mbetet e paqartë është se kush e paramendoi vrasjen. Në deklaratën saudite thuhet se "Prokuroria publike vazhdon hetimin e saj rreth të dyshuarve ... për të zbatuar drejtësinë". Sauditët shkarkuan pesë zyrtarë të lidhur me vrasjen dhe kanë arrestuar 18 të dyshuar.
Kritikët ndërkombëtarë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, kanë thënë se sundimtari de facto i vendit, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, mban përgjegjësinë përfundimtare për vrasjen. Kremlini tha të premten se Rusia beson se familja mbretërore saudite nuk është e përfshirë në vrasjen e gazetarit.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se "Ka një deklaratë zyrtare nga mbreti, ka një deklaratë zyrtare nga Princi i Kurorës (Muhammed bin Salman) dhe askush nuk duhet të ketë arsye për të mos besuar." Ndërkohë, Salah Khashoggi, djali i gazetarit të vrarë, është larguar nga Arabia Saudite pas heqjes së masës për ndalim udhëtimi jashtë vendit, duke e lejuar atë të vijë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një zëdhënësi të Departamentit amerikan të Shtetit, sekretari Mike Pompeo e bëri të qartë në vizitën e tij kohët e fundit në Riad, se Uashingtoni donte që masa e ndalimit të anullohej. Gazetari i vrarë ka jetuar në zonën metropolitane të Uashingtonit, por nuk është e qartë tani për tani, se ku do të banojë i biri në Shtetet e Bashkuara.