Tre deputetëve nga Kosova që ishin ftuar për të marrë pjesë në konferencën me temën: “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd, u janë anuluar ftesat të mërkurën.
Vjosa Osmani, Blerta Deliu dhe Ilir Deda ishin ftuar nga kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak.
Por, kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviç anuloi ftesat duke paralajmëruar madje se "është e gatshme të largohet" nga posti nëse ndodhë ndryshe.
Deputeti i parlamentit të Kosovës, Ilir Deda, dukë njoftuar për anulimin e ftesave shkroi në rrjetin social facebook se "në ditën e Evropës, del fytyra anti-evropiane e udhëheqësisë së Serbisë. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për 'normalizim' të raporteve me Kosovën, dhe për 'përkushtimin' ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai.
Deputetja, Vjosa Osmani, këtë veprim e ka cilësuar si tregues të qartë të vlerave anti evropiane të Serbisë.
“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një komunikatë të zonjës Osmani.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën që i kanë mundësuar asaj negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon.
Kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak, u ka thënë medieve serbe se ftesat janë anuluar "për shkak të pyetjes së kriminelit të dënuar të luftës Vojislav Sheshel, pyetje të cilën as që kishte të drejtë ta bënte në parlamentin e Serbisë, sepse ligjërisht ai nuk është as deputet".
Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte e dënuan më 11 prill të këtij viti ultranacionalistin serb Vojislav Sheshel, duke përmbysur një vendim të dy vjetëve më parë që e kishte liruar atë nga akuzat për përndjekje, deportim dhe veprime jonjerëzore.