Në një konferencë globale për lirinë e shtypit muajin e kaluar, shefi i BBC-së, Tony Hall vlerësoi punën e shërbimit iranian të rrjetit të tij për qëndresën e tyre ndaj ngacmimeve të shumta nga ana e Iranit.
“Dua të ngre lart përsëri aftësinë e tyre dhe familjeve të tyre për të rezistuar, në kushtet e një fushate të koordinuar frikësimi që zgjati me vite me radhë”, tha zoti Hall në konferencën e zhvilluar në Londër, ku merrnin pjesë zyrtarë të qeverisë dhe gazetarë nga më shumë se 100 vende.
Por vetëm disa ditë pas komenteve të tij më 11 korrik, disa nga gazetarët që zoti Hall vlerësoi, po akuzonin BBC-në se po përkulej para censurimit iranian.
Reagimi i gazetarëve erdhi pasi doli një email që tregonte se BBC-ja kishte dërguar një ekip gazetarësh në Iran, mesa duket nën kushtin që shërbimi persian të mos ta transmetonte materialin për audiencat iraniane.
Bashkimi Kombëtar i Gazetarëve në Britani e kritikoi këtë marrëveshje, duke thënë se i jepte Iranit kontroll lidhur me raportimin nga shërbimi persian i BBC-së dhe dërgonte një sinjal të gabuar pikërisht “në një kohë kur Irani ka intensifikuar ngacmimet dhe persekutimin e punonjësve të këtij shërbimi dhe familjeve të tyre”.
BBC-ja e mbrojti lëvizjen e vet, duke thënë se kishte kontroll të plotë mbi raportimin e vet. Por kjo ngjarje hedh dritë mbi dilempn me të cilën përballen edhe media të tjera kur mbulojnë Iranin, njp nga vendet me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë.
Agjenci perëndimore të lajmeve që punojnë në vende me shtypje, shpesh pranojnë kufizime lidhur me vendet ku mund të shkojnë gazetarët e tyre dhe kë mund të intervistojnë. Në rastin e Iranit, qeveria kërkon gjithashtu që mediat të bllokojnë shkëmbimin e materialeve audio-vizuale ne shërbimet në gjuhën Farsi që Teherani i konsideron armiqësore, përfshirë ato në BBC dhe Zërin e Amerikës.
Irani ka bllokuar sinjalin transmetimeve dhe platformat dixhitale të shërbimeve iraniabe të BBC-së dhe Zërit të Amerikës për dekada me radhë, duke filluar nga vitet e hershme të Revolucionit Islamik të vitit 1979.
Vitet e fundit, autoritetet iraniane janë përpjekur t’i sabotojnë edhe më shumë këto shërbime, me përpjekjet për t’u mohuar atyre qasje në materiale video regjistruar në Iran nga tre agjenci kryesore lajmesh që kanë zyra në Teheran: AFP-ja franceze, Associated Press dhe Reuters.
Irani dëboi nga vendi shefin e shërbimit të BBC-së në Teheran në vitin 2009, në shenjë hakmarrjeje për mbulimin e protestave nga rrjeti të zgjedhjeve të debatueshme presidenciale. AP, Reuters dhe AFP kanë qenë në gjendje t’i mbajnë zyrat e tyre hapur, pasi pranuan kushtin e Iramit për të mos ndarë materialet video me shërbimet perse të BBC-së dhe Zërit të Amerikës.
Sean Gallagher, redaktor i organizatës britanike për lirinë e shtypit, Indeksi i Censurës, i tha Zërit të Amerikës se nuk është në dijeni të asnjë vendi tjetër përveç Iranit që vendos kufizime të tilla ndaj medias së huaj.
“Për fat të keq duke pranuar këtë kusht, AFP, AP dhe Reuters po kontribuojnë në censurimin brenda Iranit, megjithëse janë një dritare për vendin dhe popullin iranian në një kohë tensionesh globale lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit”, tha ai.
Reuters nuk pranoi të komentonte për këtë çështje kur u pyet nga Zëri i Amerikës, ndërsa AP dha një deklaratë me ton të acaruar ku thuhej se “vazhdon të mbulojë në mënyrë të detajuar jetën në Iran, përfshirë raportime nga Teherani, për klientët e vet në gjithë botën”.
Phil Chetwynd, kryeredaktor për çështjet globale i AFP-së tha se agjencia e tij është e detyruar të respektojë ligjet dhe rregullat e vendit “në mënyrë që të mund të mbajë një zyrë në Teheran dhe të vazhdojë të njoftojë lidhur me gjendjen e vendit sa më mirë të mundet”.
Një mësim në fushën e transparencës
Gallagher, një ish-gazetar e përshkroi mënyrën se si e ka trajtuar BBC-ja kufizimin e ndarjes së materialeve mediatike nga Irani, si më problematike sesa organizatat e tjera të medias, duke e quajtur “dorëzim” ndaj censurës.
“BBC-ja ka zgjedhur të transmetojë në gjuhën farsi për një arsye dhe mendja ta do që objektivi është që të paraqesin një alternative tjetër nga ajo e medias së kontrolluar nga qeveria. Por BBC-ja po i lejon tani qeverisë iraniane të përcaktojë programin e shërbimit të vet persian, në thelb duke i thënë audiencës së këtij shërbimi se përmbajtja e tij nuk është më e mirë se varianti qeveritar”, tha zoti Gallagher said.
Gallagher përmendi gjithashtu reagimet e indinjuara të punonjësve të shërbimit, të cilët kanë vuajtur pasojat e masave të regjimit iranian, përfshirë ngritjen e aseteve të tyre.
“Vendimi i BBC-së tregon mungesë solidariteti me punonjësit e vet dhe një braktisje të parimeve të veta”, tha Gallagher.
Në një email për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i BBC-së Paul Rasmussen tha se BBC-ja ka qenë në krye të një fushate si pjesë e së cilës Kombet e Bashkuara dhe BE-ja kanë dënuar masat e Iranit ndaj personelit persian.
“Fushata do të vazhdojë deri kur ngacmimet ndaj tyre të marrin fund”, tha zoti Rasmussen.
Al Tompkins, profesor në Institutin Poynter, një shkollë gazetarie jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara thotë se BBC-ja duhet tpë kishte bërë më shumë për të bërë të njohura kufizimet iraniane.
“Kur një organizatë mediatike kapitullon para kushteve, kjo u jep guxim qeverive tiranike që t’i bëjnë rutinë kërkesa të tilla. Nëse të paktën do ta kishin bërë publik faktin se qeveria iraniane ‘nuk lejonte popullin e vet të lexonte apo të dëgjonte raportimin e BBC-së’, kjo do të dërgonte një sinjal lidhur me kushtet në të cilat punojnë gazetarët e atij vendi”, tha ai në një email për Zërin e Amerikës.
Analistë të tjerë shprehën më shumë mirëkuptim për BBC-në.
Moisés Naím, një studiues në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare, studion strategjitë e qeverive për të manipuluar median.
“Më vjen keq që populli iranian nuk e sheh dot atë përmbajtje. Por nuk mendoj se është më mire për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nëse këto shërbime mediash nuk raportojnë në Iran, pasi kjo do të thoshte që as ne nuk do të merrnim vesh se çfarë ndodh atje”, tha ai.
Sarah Repucci, drejtore për studime dhe analizë tek organizata Freedom House, tha se kritikat duhen drejtuar ndaj Iranit, jo BBC –së ose shërbimeve të tjera të medias.
“Në fund të fundit, vëmendja duhet drejtuar tek shkeljet e lirisë së shtypit nga ana e qeverisë iraniane jo mediat që përpiqen tp rrisin rrjedhën e informacionit përballë kontrollit të rreptë të pushtetit nga ana e regjimit”, thotë ajo.
Ndikimi tek shërbimi persian i Zërit të Amerikës
Në përgjigje të kërkesave iraniane, AP filloi të mos ndante video nga Irani me shërbimin persian të Zërit të Amerikës në vitin 2009. Reuters bëri të njëjtën gjë në vitin 2010 dhe AFP-ja në vitin 2017.
“Megjithëse Zëri i Amerikës e kupton se disa nga agjencitë kanë marrë vendime në bazë të nevojave të tyre të biznesit, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë i përkushtuar që të informojë popullin e Iranit në mënyrë të paanshme, objektive dhe të drejtë nga brenda dhe jashtë vendit”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Zërit të Amerikës, Bridget Ann Serchak.
VOA nuk ka pasur një byro në Iran që nga revolucioni i vitit 1979 dhe nuk ka qenë në gjendje të njoftojë nga vendi prej 13 vjetësh.
Ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Gary Thomas, ishte i fundit që vizitoi Iranin me shërbim nga Zëri i Amerikës në korrik 2006.
Zoti Thomas tha se disa zyrtarë iranianë i kishin thënë se nuk donin që citimet e tyre të përdoreshin nga shërbimi persian i Zërit të Amerikës. Sheila Gandji, ish-shefe e shërbimit persian të Zërit të Amerikës në mes të viteve 2000, tha se nuk mbante mend të kishte kufizuar përdorimin e materialeve të zotit Thomas, në asnjë lloj forme.
David S. Jackson, ish-drejtor i Zërit të Amerikës në periudhën 2002 - 2006, tha se as si nuk kujtonte që Irani të kishte vënë kufizime ndaj gazetarëve të Zërit të Amerikës gjatë asaj periudhe.
“Po të isha në dijeni të përpjekjeve për të imponuar kufizime, nuk do t’i kisha pranuar”, shkruante ai në një email.
Një analizë e arkivave të Zërit të Amerikës tregon se shërbimi persian kishte përkthyer dhe përdorur në mënyrë të plotë njoftimet e zotit Thomas nga shërbimi i tij në qershor 2005, duke i transmetuar në radio dhe botuar në faqen e internetit.
Sonja Pace, një tjetër ish-gazetare e Zërit të Amerikës, kishte njoftuar nga Irani për një muaj në periudhën tetor-nëntor 2001 dhe tha se autoritetet iraniane nuk kishin vënë ndonjë kufizim gjatë shërbimit të saj në vend që ajo e quajti “jashtëzakonisht pozitiv”.
Por Pace ishte zhgënjyer kur Teherani ia mohoi vizën për një udhëtim tjetër, disa vjet më pas.
“Më thanë që nuk kishte lidhje me mua, por me shërbimin persian të Zërit të Amerikës. Pra është e qartë që kishte tension”, tha ajo.
Dan Austin, ish-drejtor i Zërit të Amerikës në periudhën 2006-2011, tha se nuk donte ta hidhte dyshime lidhur me pranimin e kushteve nga ana e BBC-së për qasje në Iran, duke pasur parasysh misionin e saj si transmetues global lajmesh.
Kanali në gjuhën angleze financuar nga burime komerciale BBC World News, transmeton 24 orë për audienca në 200 vende dhe territore, përfshirë vende me demokraci të konsoliduar.
Zëri i Amerikës që financohet nga taksapaguesit amerikanë, u drejtohet audiencave të huaja ku liria e medias është e kufizuar.
“Ne e shohim disi ndryshe misionin e Zërit të Amerikës, tha në një email zoti Austin. Ne jemi të detyruar me ligj që të bëjmë gazetari të mire, jo t’u bindemi direktivave politike të ditës apo të bëjmë për vete audiencat në demokraci të konsoliduara”.