Shqipëri: Parlamenti miraton Kodin Zgjedhor, partitë e vogla lenë grevën

Parlamenti në Tiranë miratoi në mbrëmje 180 nene të Kodit të Ri Zgjedhor, ndërkohë që 10 deputetë të partive të vogla lanë grevën e urisë. Ndryshimet e neneve të Kodit Zgjedhor u miratuan me konsensusin e dy forcave kryesore politike, të cilat bashkëpunuan në komisionin e reformës zgjedhore. Deputetët e LSI dhe PDK-së hynë në grevë urie pikërisht në sallën e parlamentit, një javë më parë në përpjekje për të penguar miratimin e këtij kodi, i cili, sipas tyre, dëmton partite e vogla.

Një grup deputetësh opozitarë mbyllën të martën në mbrëmje grevën e tyre 8 ditore të urisë, pak orë përpara se parlamenti të miratonte Kodin e ri Zgjedhor, duke lënë mënjanë përpjekjet e tyre për pjesëmarrje më të gjerë të partive të vogla në komisionet e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. 180 nenet e reja të Kodit të ri Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen vitin tjetër, u miratuan nga 112 votat e dy partive të mëdha.

Partitë e vogla mendojnë se reforma zgjedhore mund t’i përjashtojë ato nga parlamenti. Ato nisën një grevë urie në 10 nëntor dhe e mbyllën mbrëmjen e kaluar, pikërisht në kohën kur dy partitë e mëdha nisën të shqyrtojnë nenet e reja të Kodit Zgjedhor, që ishin përgatitur me mirëkuptimin e PD dhe PS. Partitë e vogla bënë thirrje për një sistem zgjedhor, i cili t’u garantojë atyre një proces votimi, ku të numërohen saktë votat për secilën parti, sepse zakonisht në zgjedhjet e mëparshme partive të vogla aleate votat u janë fshirë nga partitë më të mëdha.

Kryetari i LSI, Ilir Meta dhe ai i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, deklaruan se kjo reformë është në fakt një provë se dy partitë e mëdha dhe drejtuesit e tyre kanë një etje të madhe për pushtet të pakufishëm. Ata akuzuan kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e P.S., Edi Rama, se kanë bërë një marrëveshje të fshehtë për të ndarë pushtetin midis tyre dhe për të larguar partitë e vogla aleate nga gara dhe komisionet zgjedhore.

Por përfaqësues të dy forcave kryesore politike në parlament pohuan se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për demokracinë dhe se nenet e reja të Kodit Zgjedhor janë përgatitur me kujdesin që të përmbushin rekomandimet e OSBE nga zgjedhjet e kaluara. Janë ndryshuar 180 nene të Kodit Zgjedhor dhe mbi 90 për qind të tyre janë miratuar me kompromisin e 7 antarëve të komisionit të reformës zgjedhore. Vetë ky komision kërkoi dy herë që të shtyjë afatin e punës dhe mori plot 8 muaj kohë për të hartuar me mirëkuptim nenet e reja që, pasi më në fund u pranuan nga dy partitë e mëdha, u kundërshtuan me forcë nga partitë e vogla.

Seanca e mbrëmshme në parlament u mbajt ndërkohë që në oborrin e parlamentit u zhvillua për disa orë një tubim proteste, ku u deklarua nga drejtues të LSI dhe PDK, se protestat do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera. Greva e urisë së 10 deputetëve të LSI dhe PDK nisi një javë më parë, dhe pjesëmarrësit e saj thanë se të paktën ajo arriti që të sensibilizojë opinionin publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar për problemet që pritet të vijnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Shqipëria është ftuar të antarësohet në NATO në fillim të këtij viti, me shpresën se reforma zgjedhore do të japë një sinjal të angazhimeve më të vendosura për procese demokratike. Kjo gjithashtu është një parakusht edhe për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. //ad//