Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot ftohjen e marrëdhënieve me Serbinë, nëse kjo e fundit nuk liron tre policët e Kosovës që mbahen në paraburgim
Në një postim në Twitter, zoti Rama shkroi se “sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa”, vuri në dukje zoti Rama duke shtuar se “kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”.
Deklarata e zotit Rama pason një valë kritikash të ashpra ndaj tij, veçanërisht nga Kosova, për qëndrimet e tij kritike ndaj kryeministrit Albin Kurti, dhe përplasjeve të forta, të këtij të fundit, me komunitetin ndërkombëtar lidhur me tensionet në Veriun e Kosovës.
Edhe sot, zoti Rama shkroi se “nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova, sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar”. Ai paralajmëroi rrezikun e marrjes së Veriut nën kontrollin e Kfor-it” gjë që sipas tij do të bënte që Prishtina të humbiste “për kushedi sa kohë, edhe kontrollin formal të shtetit mbi krejt territorin”. Për kryeministrin e Shqipërisë, zoti Kurti duhet të “dalë nga guacka e vetizolimit” dhe të “mos e humbasë Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë. Koha është tani dhe po fluturon”, shkruan zoti Rama.
Lexoni edhe këtë Rama paralajmëron sanksione ndërkombëtare ndaj KosovësJavën e shkuar, kryeministri i Shqipërisë anuloi mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës, të parashikuar për t’u mbajtur në Gjakovë, pasi sipas tij “në kushtet e agravimit me orë, të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”. Ai propozoi një takim të ngushtë me zotin Kurti, në praninë dhe të ministrave respektivë të Punëve të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ndërsa paralajmëroi rrezikun e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kosovës. Një takim i cili u refuzua nga kryeministri i Kosovës.