Ish presidenti Donald Trump kritikon prokurorët që po kryejnë hetime ndaj tij

Ish presidenti Donald Trump shfrytëzoi takimin e parë me mbështetësit në kuadër të fushatës presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024 për të lëshuar kritika ndaj prokurorëve që po kryejnë hetime ndaj tij.

Gjatë tubimit në aeroportin Ueiko, në shtetin e Teksasit, zoti Trump tha se ndaj tij po kryhen procese hetimore të rreme duke i cilësuar si “gjueti shtrigash”.

Prokuroria e Manhatanit po heton rolin e ish-presidentit lidhur me pagesën ndaj aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj, përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Zoti Trump tha se është i pafajshëm dhe se po hetohet për diçka që nuk përbën krim apo shkelje ligjore.

Zoti Trump tha mes të tjerash se kundështarët e tij po përpiqen ta ndalojnë atë, por nuk ia kanë dalë dot.

Gjatë fjalimit, ai kritikoi edhe guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili pritet gjithashtu të kandidojë për president, duke e cilësuar aleatin e tij të dikurshëm si “jo besnik”.

Zoti Trump po përballet me një seri sfidash ligjore. Veç hetimeve në Nju Jork, një juri e madhe federale në Uashington po heton çështjen e mbajtjes së dokumenteve sekrete nga zoti Trump pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021. Po ashtu, edhe në shtetin e Xhorxhias, po kryhen hetime ndaj ish presidentit mbi përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në atë shtet.