Athinë, kontroll për bombë në avionin e kompanisë 'Ryanair'

Policia greke kreu kontroll në një aeroplan pasagjerësh të kompanisë 'Ryanair', i cili u ul në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, pas një alarmi për bombë.

Sipas zyrtarëve ishte piloti i avionit Boeing 737, me rreth 190 persona në bord plus ekuipazhin, që kishte njoftuar më herët autoritetet për një mjet të mundshëm shpërthyes në bord.

Avioni, i cili po fluturonte nga qyteti i Katovicës në Poloni drejt Greqisë, mbërriti në Athinë i shoqëruar nga dy avionë luftarakë në orën 17:35 me orën lokale.

Policia më vonë u pa tek kontrollonte pasagjerët që zbrisnin nga avioni, bagazhet e të cilëve ishin rreshtuar jashtë në pistë.