Çfarë dihet për tregtarin rus të armëve, Viktor Bout

Viktor Bout

Mediat në Shtetet e Bashkuara njoftojnë se propozimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë për lirimin e të burgosurve amerikanë në Rusi, basketbollistes Brittney Griner dhe ish marinsit, Paul Whelan, përfshin shkëmbimin me tregtarin rus të armëve, Viktor Buout, i dënuar me 25 vjet burg në SHBA. Por cili është Viktor Bout? Materiali në vijim sjell detaje nga kapja e rusit, tregtia me armë e të cilit i ka dhënë nofkën, “tregtari i vdekjes”.

Your browser doesn’t support HTML5

Çfarë dihet për tregtarin rus të armëve, Viktor Bout

Jeta e tregtarit rus të armëve, Viktor Bout, ndonjëherë tingëllon sikur të ishte roman spiunazhi që vështirë të besohet se është i vërtetë.

I quajtur ndryshe "tregtari i vdekjes" dhe "shmangësi i sanksioneve" për shkak të aftësisë së tij për të anashkaluar embargot e armëve, 55 vjeçari Bout, ishte një nga njerëzit më të kërkuar në botë përpara arrestimit të tij më 2008, me akuza të shumta në lidhje me trafikun e armëve.

Ai u kap në kamera duke rënë dakord t’u shiste agjentëve amerikanë, të cilët ishin paraqitur si përfaqësues të organizatës guerilase të majtë “FARC” të Kolumbisë, 100 raketa tokë-ajër, të cilat ata do t'i përdornin për të vrarë trupat amerikane.

Menjëherë më pas, ai u arrestua nga policia tajlandeze.

Pas dy vjetësh përplasjeje diplomatike me SHBA-në, gjatë të cilave Rusia, këmbënguli se Bout ishte i pafajshëm dhe rasti i tij ishte i motivuar politikisht, ai u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku u përball me një sërë akuzash, përfshirë konspiracion për të mbështetur terroristët, komplot për të vrarë amerikanët dhe pastrim parash.

Ai u gjykua për akuzat që lidhen me FARC-un, të cilat i mohoi, dhe në vitin 2012, u dënua nga një gjykatë në Manhattan, me 25 vjet burg, dënimi minimal i mundshëm.

Që atëherë, shteti rus ka qenë i vendosur për ta rikthyer atë.

Më 27 korrik, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se Uashingtoni i kishte bërë "një ofertë thelbësore" Rusisë për të liruar basketbollisten amerikane, Brittney Griner dhe ish marinsin amerikan, Paul Whelan.

Më 29 korrik, Sekretari Blinken e konfirmoi se ka biseduar në telefon me homologun rus, Sergei Lavrov.

“Gjatë ditës bisedova me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë. Unë i bëra presion Kremlinit që të pranojë propozimin substancial që ne e kemi bërë për lirimin e Paul Whelan dhe Brittney Griner”, tha zoti Blinken.

Lexoni edhe këtë Çështja kundër basketbollistes Griner dhe bisedimet me Moskën për shkëmbimin e të burgosurve

Zoti Blinken nuk pranoi të thoshte se çfarë po ofronin Shtetet e Bashkuara në këmbim të amerikanëve Griner dhe Whelan. Një burim i njohur me situatën konfirmoi raportin e publikuar nga televizioni amerikan, CNN se Uashingtoni ishte i gatshëm të shkëmbente tregëtarin e armëve si pjesë të një marrëveshjeje.