Menjëherë pasi një gjykatë ruse dënoi me nëntë vjet burg yllin e basketbollit amerikan Brittney Griner me nëntë vjet burg nën akuza për drogë, Shtetet e Bashkuara thanë se janë të gatshëm të diskutojnë me Rusinë për një këmbim të burgosurish. Rusia tha të premten se është gati të diskutojë privatisht për këtë çështje.
Çështja kundër basketbollistes Griner, dy herë fituese e medaljes së artë olimpike dhe yll i Shoqatës Kombëtare të Basketbollit të Grave (WNBA), e përfshiu atë në një vorbull gjeopolitike pasi Rusia dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Presidenti Vladimir Putin dhe Presidenti amerikan Joe Biden kishin rënë dakord më parë për një kanal diplomatik që duhet të përdoret për të diskutuar shkëmbimet e mundshme të të burgosurve.
"Ne jemi të gatshëm të diskutojmë këtë temë, por brenda kornizës së kanalit për të cilin u ra dakord nga presidentët Putin dhe Biden. Nëse amerikanët vendosin t'i drejtohen edhe një herë diplomacisë publike ... kjo është punë e tyre dhe madje do të thoja se është problemi i tyre", tha zoti Lavrov gjatë një vizite në Kamboxhia.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni ishte i përgatitur të angazhohej me Moskën përmes kanaleve diplomatike të vendosura. Ai tha se dënimi i zonjës Griner thekson ndalimin e saj të gabuar nga Rusia dhe shtoi më tej padrejtësinë që i ishte bërë basketbollistes.
Kremlini ka qenë i tërhequr në perspektivën e një shkëmbimi, duke thënë se nëse shkëmbimet e të burgosurve do të diskutoheshin në media, ato nuk do të ndodhnin kurrë.
"Amerikanët e kanë bërë tashmë atë gabim, duke vendosur papritur të përdorin diplomacinë megafonike për të zgjidhur këto çështje", tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Zëdhënësi Peskov nuk pranoi të komentojë vendimin e gjykatës për zonjën Griner. Kur u pyet nëse ajo mund të falej, ai tha se procedura e faljes ishte e koduar në ligjet ruse.
Dënimi i basketbollistes Griner - të cilin Biden e quajti "të papranueshëm" - mund të hapë rrugën për një shkëmbim të burgosurish që do të përfshinte atleten 31-vjeçar dhe një tregtar rus armësh që vuan një dënim 25-vjeçar në Shtetet e Bashkuara.
Lexoni edhe këtë Çfarë dihet për tregtarin rus të armëve, Viktor BoutShtetet e Bashkuara kanë bërë tashmë atë që sekretari Blinken e quajti një "ofertë thelbësore" për të siguruar lirimin e amerikanëve të ndaluar në Rusi, duke përfshirë zonjën Griner dhe ish-marinsin Paul Whelan.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha pas dënimit të zonjës Griner se Shtetet e Bashkuara i kishin bërë Rusisë një propozim serioz.
“Ne i bëjmë thirrje që ta pranojnë atë. Ata duhet ta kishin pranuar javë më parë kur ne ia propozuam për herë të parë”.
Zoti Kirby nuk dha detaje të mëtejshme mbi propozimin amerikan.
Uashingtoni ka ofruar shkëmbimin e trafikantit rus të armëve Viktor Bout për Griner dhe Whelan, kanë thënë burime të njohura me situatën.
Amerikania Griner u arrestua më 17 shkurt në aeroportin Sheremetyevo të Moskës me kapsula që përmbanin vaj hashashi në bagazhin e saj.
Shtetet e Bashkuara argumentuan se ajo ishte arrestuar gabimisht dhe duke u përdorur si një mjet negocimi politik nga Moska. Zyrtarët rusë hodhën poshtë pohimin amerikan, duke thënë se zonja Griner kishte thyer ligjin rus dhe duhet të gjykohet në përputhje me rrethanat.
Basketbollistja Griner, të cilës i ishte dhënë kanabis mjekësor në Shtetet e Bashkuara për të lehtësuar dhimbjet nga lëndimet kronike, tha se kishte bërë një gabim të sinqertë duke paketuar pa dashje kapsulat me hashash ndërsa nxitonte për të kapur avionin.
Ajo pranoi fajësinë por këmbënguli se nuk kishte pasur ndërmend të shkelte ligjin rus.
Kanabisi është i paligjshëm në Rusi për çdo lloj përdorimi.