Anija e parë me drithëra ukrainase largohet nga porti i Odesës

Anija e parë që transporton drithë nga Ukraina, u nis nga të hënën nga porti i Odesës në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, që pritet të mundësojë eksportet e drithit në tregjet ndërkombëtare dhe të lehtësojë krizën në rritje të urisë.

Anija e mallrave Razoni me flamurin e Sierra Leones u nis nga Odesa për në Liban, tha ministria e Mbrojtjes e Turqisë. Një deklaratë nga Kombet e Bashkuara tha se Razoni bartte mbi 26,000 tonelata misër.

Anija pritet të arrijë në Stamboll të martën, ku do të inspektohet përpara se të lejohet të vazhdojë lundrimin, tha ministria turke.

Misri do të shkojë në Liban, një vend i vogël në Lindjen e Mesme në cep të asaj që Banka Botërore e ka përshkruar si një nga krizat financiare më të këqija në botë në më shumë se 150 vjet. Një shpërthim i vitit 2020 në portin e tij kryesor në Bejrut shkatërroi kryeqytetin dhe hambarët e drithërave atje.

“Sot Ukraina, së bashku me partnerët, po hedh një hap tjetër drejt parandalimit të urisë në botë”, tha Alexander Kubrakov, ministri ukrainas i Infrastrukturës.

Ai tha se kjo do të ndihmonte gjithashtu Ukrainën.

“Zhbllokimi i porteve do të sigurojë të paktën 1 miliard dollarë të ardhura nga këmbimi valutor dhe një mundësi për sektorin bujqësor që të planifikojë vitin e ardhshëm”, tha ministri Kubrakov.

Ministria turke tha se edhe anije të tjera do të nisen nga portet e Ukrainës përmes korridoreve të sigurta, në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në Stamboll më 22 korrik, por nuk dha hollësi të mëtejshme.

Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje të veçanta me Turqinë dhe OKB-në, duke i hapur rrugën Ukrainës, një prej prodhuesve kryesor të bukës në botë, për të eksportuar 22 milionë tonë drithëra dhe mallra të tjera bujqësore, që kanë ngecur në portet e Detit të Zi për shkak të agresionit të Rusisë.

Marrëveshjet i lejojnë gjithashtu Rusisë të eksportojë drithëra dhe plehra kimike.