Sulmet ruse në Ukrainë, dështojnë sërish përpjekjet për evakuime 

Për të dytën ditë me radhë përpjekjet për evakimeve të banorëve ukrainas nga dy qytetet e rrethuara nga forcat ruse, Mariupol dhe Volnovakha, dështuan. Një zyrtar ukrainas tha se forcat ruse nuk i ndalën sumet. Po sot Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski paralajmëroi se forcat ruse po përgatiteshin të bombardonin qytetin port të Odesës. Nga ana tjetër Presidenti rus Vladimir Putin tha se fushata e tij në Ukrainë po shkonte sipas planit dhe nuk do të përfundonte derisa Kievi të ndalte luftimet.

Your browser doesn’t support HTML5

Sulmet ruse në Ukrainë, dështojnë sërish përpjekjet për evakuime

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski paralajmëroi se forcat ruse po vazhdojnë të sulmojnë dhe po përgatiten të bombardojnë qytetin port të Odesës, në Detin e Zi. Sulmet kanë hyrë në ditën e 11-të të tyren.

“Ata po përgatiten të bombardojnë Odesën. Banorët rusë e kanë vizituar gjithmonë Odesën, ata gjithmonë kanë përjetuar vetëm mikpritje e sinqeritet. Po çpo bëjnë tani. Bomba kundër Odesës? Predha artilerie kundër Odesës, raketa? Ky do të jetë një krim lufte, ky do të jetë një krim historik”, tha zoti Zelenski.

Ai u bëri thirrje drejtpërdrejt rusëve që të dalin në rrugë në shenjë proteste kundër sulmit ndaj Ukrainës, ose në të kundër rrezikojnë varfërinë për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Moskës.

“Ne, ukrainasit, duam paqe! Qytetarë të Rusisë, për ju, kjo është një luftë jo vetëm për paqen në Ukrainë! Kjo është një luftë për vendin tuaj. Për më të mirën tuaj. Për lirinë e mirëqënien që keni patur”, tha presidenti i Ukrainës.

Ndërkohë në qytetin Irpin forcat ruse kanë bombarduar edhe zonat urbane.

Banorët e qytetit, i cili ndodhet 24 kilometra larg kryeqytetit, Kievit, të ndihmuar nga forcat e ushtrisë ukrainase kanë mundur të largohen duke braktisur ndërtesat në flake.

Pamjet filmike tregojnë banorë të qytetit mes tyre fëmijë e të moshuar tek vrapojnë të largohen nga qyteti mes bombardimeve dhe sulmeve ajrore të forcave ruse.

Një zyrtar ukrainas konfirmoi se një përpjekje e dytë për të evakuuar rreth 400 mijë civilë nga qytet-porti i Mariupolit dështoi.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Anton Gerashchenko tha se evakuimet e planifikuara përgjatë korridoreve të përcaktuara humanitare ndalën për shkak sulmeve të vazhdueshme.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të dielën se fushata e tij në Ukrainë po shkonte sipas planit dhe nuk do të përfundonte derisa Kievi të ndalonte luftimet.

Ai i bëri komentet në një telefonatë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili bëri thirrje për një armëpushim. Mediat ruse raportuan se zoti Putin zhvilloi gjithashtu rreth dy orë bisedime me Presidentin francez Emmanuel Macron. Ky i fundit ka zhvilluar biseda telefonike të vazhdueshme me presidentin e Rusisë, por ende nuk e ka bindur atë të ndalë sulmet.